
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar rëndësinë e forcimit të ushtrisë dhe zhvillimit të teknologjisë ushtarake në vend. Ai ka deklaruar se Kosova do të nisë prodhimin e dronëve të saj dhe do të bëjë investime të konsiderueshme në mbrojtje.
"Dua shumë që brezat e ardhshme të mos prekën më nga lufta. Ne do të prodhojmë dronët tanë në Kosovë. Do të investojmë 100 herë më shumë në ushtri, sepse brezave të ardhshëm duhet t’u lëmë një vend të sigurt, ku Serbisë as mos t’i shkojë mendja për luftë," u shpreh Kurti.
Lidhur me negociatat me Serbinë, ai theksoi se është i gatshëm për dialog, por nuk ka ndërmend të ndjekë presidentin serb Aleksandar Vuçiç në Beograd.
"Unë jam i gatshëm për marrëveshje dhe negociata, por nuk kam ndërmend të ndjek Vuçiçin nëpër Beograd. S'mund ta nxjerr unë, krimineli i tyre duhet të vijë në Kosovë se ka vrarë rreshterin tonë. Na kanë vra fëmijët dhe pleqtë, në masakrat që ka bërë Serbia në Kosovë ka shumë pleq pa kokë se kanë pas plisin mbi kokë." deklaroi ai.