
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani duket se ka vendosur që t’i lërë pas mëritë me kryeministrin, Albin Kurti në pragun e 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës.
Sipas mediave kosovare, Presidentja Osmani ka deklaruar se nuk ka asnjë luftë politike me krerët e tjerë të shtetit, pasi kur interesi shtetëror dhe ai qytetar bëhen parësor, dallimet janë lehtësisht të tejkalueshme.
“S`ka asnjë luftë politike… Kur vendoset interesi shtetëror dhe interesi qytetarë mbi të gjitha çdo dallim është i tejkalueshëm…”,- është shprehur Presidentja Osmani.
Të njëjtën linjë qëndrimi mbajti edhe kryeministri, Kurti në një reagim të bërë dy ditë më parë, teksa pranoi zërat për krisje të marrëdhënies me Osmanin.
Në deklaratën e dhënë, Kurti shprehej se ka bashkëpunime të ngushta me krerët e shtetit të Kosovës, ndonëse sipas tij ka pasur edhe raste kur janë bërë diskutime dhe ndonjëherë dallime në porpozimet e tyre, por kjo nuk do të thotë që të tilla gjëra janë të patejkalueshme përfundoi ai.
“Kemi bashkëpunim të ngushtë. Kjo nuk do të thotë që edhe me kryeparlamentarin Glauk Konjufca, edhe me ministren e Jashtme, Gërvalla, edhe me presidenten Vjosa Osmani, nuk kemi pasur diskutime, ndonjëherë dallime, por unë nuk besoj që ka të tilla që janë të patejkalueshme”,- thuhet në deklaratën e kryeministrit, Albin Kurti.
Kujtojmë se marrëdhëniet midis Presidencës dhe Kryeministrisë u tensionuan pas letrës që ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla dërgoi në Këshillin e Europës, ku zotohej se Kosova do të dërgonte në Kushtetuese draftin për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, një ditë para mbledhjes së Komitetit të Ministrave, i cili do të vendoste përfundimisht për fatin e Kosovës.
Kjo kërkesë u refuzua nga krerët e 3 shteteve europiane, Meloni, Macron dhe Scholz, të cilët kërkonin që Kosova të bënte hap konkret në lidhje me këtë çështje dhe jo premtime në letër.
Pas letrës së refuzimit, Presidenca e Kosovës deklaroi se letra e dërguar në KiE nuk ishte konsultuar më parë me presidenten Osmani, edhe pse në të thuhej se është një vendim i marrë në bashkëpunim me tre krerët e shtetit, kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, presidenten Osmani dhe kryeministrin, Albin Kurti.