Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka nderuar me titullin “Hero i Kosovës” italianin Francesco Guiseppe Bider, që vdiq në Koshare si pjesë e UÇK-së. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, presidenca njoftoi se dekorimi i tij u bë në kuadër të aktiviteteve të manifestimit tradicional “Ditët e Shqipes 2024”, me motivacionin për trimërinë dhe sakrificën për lirinë e Kosovës që Bider ka dhënë në Kosovë.
“Në kuadër të aktiviteteve të manifestimit tradicional “Ditët e Shqipes’2024”, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar dje me Urdhërin “Hero i Kosovës”, pjesëtarin e Brigadës 138 “Agim Ramadani”, Francesco Guiseppe Bider, me motivacion për trimërinë dhe sakrificën për lirinë e Kosovës”,- shkruhet në njoftimin e presidencës së Kosovës.
Presidentja Osmani, Urdhërin ia dorëzoi, vëllait të heroit, z. Alfredo Bider, i shoqëruar nga familjarë dhe ish-udhëheqësit e Brigadës 138 “Agim Ramadani” dhe Betejës së Koshares.
Në fjalën e saj, presidentja e Kosovës tha se heroi nga Italia Francesko Bider besoi në lirinë e popullit të Kosovës dhe të ardhmen e fëmijëve, e ndërsa shtoi se luftëtarët e UÇK-së i bashkoi kauza e lirisë dhe drejtësisë kundër shtypjes dhe gjenocidit serb.
“Ishin pamjet e vrasjeve, djegieve, vuajtjeve të zhvendosurve, pamjet e kampeve të refugjatëve dhe gjithë realitetit të tmerrshëm që kalonte populli ynë nga regjimi gjenocidal të Millosheviqit që e shtyen Francescon t’i bashkohej UÇK-së në luftën për çlirimin e Kosovës, ku edhe ra dëshmor”, është shprehur Presidentja Osmani.