Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Rajoni

"Nata e parë pa Kadarenë kaloi", kryeministri Albin Kurti: Deri dje e dinim që ishte në bibliotekën e tij, e kështu dhe në shtëpitë tona

Shkruar nga Newsbomb
"Nata e parë pa Kadarenë kaloi", kryeministri Albin Kurti:
Kryeministri Kurti dhe shkrimtari Kadare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë një reagim të dytë për ikjen e shkrimtarit të madh shqiptar, gjeniut të letrave Ismail Kadare. Veç mesazhit të ngushëllimit që bëri dje sapo u përhap lajmi për ikjen e Kadaresë, ai ka shkruar dhe sot.

"Nata e parë pa Kadarenë kaloi mbrëmë", shkruan Albin Kurti, duke evidentuar se deri dje të gjithë ishin të qetë sepse e dinin që shkrimtari i madh ishte diku në një cep në bibliotekën e tij.

"Më herët e dinim që është atje diku me bibliotekën e tij, dhe, këtu te secila bibliotekë familjare nëpër shtëpitë tona. Do të lexohet edhe më shumë tash ai: që të na mungojë më pak neve që e duam, që të gjejmë më shumë veten që na duhet", shkruan ai.

Kryeministri i Kosovës thekson se së shpejti do të shfaqet në Francë biseda e Ismail Kadaresë e pothuaj tri dekadave më parë me të munguarin e madh Ukshin Hoti.

"Kushdo që e ka lexuar Kadarenë e di etjen e tij të pashuar për të munguarit e mëdhenj. Sepse Kadareja e dëshironte hetimin e çështjes. Miti i furnizoi një sërë të gjatë të munguarish, duke nisur me Kostandinin. Si të thuash: nga Konstandini te Ukshini. Kadareja e di se dhe Ukshini e ka sjellë Doruntinën e vet. Koherencë e paanalizueshme e shkrimtarit të madh. I munguar i madh, nga dje, u bë edhe vetë Kadareja", përmbyll Albin Kurti.

Shënimi i plotë i kryeministrit Albin Kurti:

Nata e parë pa Kadarenë kaloi mbrëmë. Më herët e dinim që është atje diku me bibliotekën e tij, dhe, këtu te secila bibliotekë familjare nëpër shtëpitë tona. Do të lexohet edhe më shumë tash ai: që të na mungojë më pak neve që e duam, që të gjejmë më shumë veten që na duhet.

Shkrimtari ynë i madh u nda nga ne. Mbase filozofi francez, Gilles Deleuze, na thotë diçka që mund të na shërbejë për kuptimin e kësaj ndarjeje. Artisti bën një vepër artiste. Në një farë mënyre është vepra ajo që krijon përherë. Kadare nuk na la në paqen e një shoqërie të përgjumur, por na hodhi në intrigën e tij. Aty janë dhe do të jenë ende personazhet dhe situatat, gjenerali i të vdekurve dhe kako Pino, koncerti i fundit dhe pallati i dimrit të përhershëm, Broadëay i zhvendosur në Tiranë dhe hija e kineastit shqiptar në Paris, Eskili i degdisur dhe faraoni i tejvarrosur, trupi i Lul Mazrekut dhe përkthyesi i katërt, valltari i vargjeve të popullit apo autoriteti i nëndheshëm i Lasgushit… Të gjithë do të jenë aty nën paradigmën e uraganit të pandërprerë të letërsisë.

Shkrimtari i madh ka aftësinë të ndërtojë mision, dhe ky mision është vetëm stil, alegori, porosi, kolektiv kuptimi, dyshim kolektiv. Ai lidh kohët e shkrimeve, por edhe gjeografitë e prozës. Dalja e tij përtej kufijve ngjall problem, sepse ai e dyzon kufirin: e kthen nga kufi talenti në kufi politik, ose, edhe më mirë: ai përzien të tashmen me një të shkuar të dyfishtë. Andaj do të jetë sa shkëlqim edhe problem.

Si një mesazh i habitshëm mund të përmendet edhe fakti që vetëm së shpejti do të shfaqet në Francë biseda e tij e pothuaj tri dekadave më herët me të munguarin e madh Ukshin Hoti. Kushdo që e ka lexuar Kadarenë e di etjen e tij të pashuar për të munguarit e mëdhenj. Sepse Kadareja e dëshironte hetimin e çështjes. Miti i furnizoi një sërë të gjatë të munguarish, duke nisur me Kostandinin. Si të thuash: nga Konstandini te Ukshini. Kadareja e di se dhe Ukshini e ka sjellë Doruntinën e vet. Koherencë e paanalizueshme e shkrimtarit të madh.

I munguar i madh, nga dje, u bë edhe vetë Kadareja.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese