
Deputetët e zgjedhur më 9 shkurt janë mbledhur sërish ditën e sotme, në orën 12:00, për vazhdimin e seancës konstituive, e cila u ndërpre më 15 prill, për për shkak të moskalimit të raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve.
Me 52 vota pro, 46 kundër dhe 11 abstenuan, për këtë arsye raporti nuk kaloi. PDK, LDK dhe AAK votuan kundër, ndërsa deputetët e LVV-s dhe Social Demokrates kanë votuar për raportin.
Sipas mediave vendase mësohet se vazhdimi i seancës do të zhvillohet pasi kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, i është drejtuar me një letër presidentes Vjosa Osmani, duke i kërkuar sugjerime se si të veprohej pas ndërprerjes së seancës.
Kujtojmë se seanca ditën e martë u ndëpre pasi legjislatura e nëntë nuk arriti të kalonte pikën e parë, atë të miratimit të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve.
Aryseja e ndalimit të seancës ishte pasi Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kërkuan nga anëtarët e Qeverisë në detyrë, që janë zgjedhur deputetë, të ofrojnë dorëheqje formale nga postet ekzekutive.