
3 liderët e Kosovës po akuzohen se kanë thyer protokollin shtetëror për largimin jashtë vendit. Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ndodheshin gjatë ditës së sotme në Tiranë, në ceremoninë mortore të mbajtur për nder të autorit të mirënjohur shqiptar Ismail Kadare.
Sipas mediave Kosovare, duke u nisur nga rregullat që përcakton Protokolli shtetëror thuhet shprehimisht se drejtuesit e nivelit të lartë të shtetit duhet të bashkërendojnë axhendën e tyre, nëse ato vendosin që të dalin jashtë territorit të tyre.
“Protokolli i Shtetit vihet në dijeni paraprakisht për çdo lëvizje të personaliteteve kryesore, presidentit, kryetarit të Kuvendit dhe kryeministrit jashtë shtetit. Vizitat bashkërendohen në mënyrë që të mos jenë të tre njëkohësisht jashtë vendit”, shkruhet në pikën katër të Nenit 19 të këtij ligji”,- thuhet në Ligjin e Protokollit të Shtetit.
Kolosi i letrave shqipe, Ismail Kadare është përcjellë ditën e sotme për në banesën e fundit. Në teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit u mbajtën homazhe në nderim të figurës së tij.
Personalitetet të njohura nga Shqipëria, Kosova dhe Shkupi, diplomatë të huaj, kolegë, familarë dhe të tjerë dashamirës ishin të pranishëm për t’i dhënë lamtumirën e fundit gjigandit të letërsisë shqipe.
Ismail Kadare mbylli sytë përgjithmonë mëngjesin e të hënës së 1 korrikut në moshën 88 vjeçare. Ai do të mbetet gjithmonë në memorien e shqiptarëe dhe lexuesve mbarëbotërore, si njeriu që ndryshoi historinë dhe lartësoi letërsinë shqipe në arenën ndërkombëtare.