
Ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Piantedosi ka reaguar lidhur me megaoperacionin e zhvilluar nga autoritetet italiane dhe ato shqiptare, duke çuar në pranga 12 persona, ku 5 prej tyre u arrestuan në Shqipëri.
Në llogarinë e tij në “Twitter”, ministri i ka dhënë zë këtij suksesi të autoriteteve të dy vendeve.
“Policia italiane në bashkëpunim me autoritetet shqiptare, çmontuan trafikun ndërkombëtar të kokainës. Anëtarët e grupit kriminal, të cilët vepronin ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, pasi e blinin drogën nga Amerika e fusnin në vendin tonë me mjete të sofistikuara. 12 persona përfunduan në pranga”, shkruan ministri ndër të tjera.
Theksojmë se në kuadër të këtij operacioni të koduar “ICARO.AL”, kanë rënë në pranga 12 persona dhe po hetohen 8 të tjerë.
La @poliziadistato, in collaborazione con le autorità albanesi, ha smantellato un traffico internazionale di cocaina. I membri del gruppo criminale, che operavano tra l'Italia e l'Albania, dopo aver acquistato la droga dal Sud America la facevano entrare a bordo di autoarticolati… pic.twitter.com/jPTAx0ST1Q
— Matteo Piantedosi (@Piantedosim) January 21, 2025
Në vendin tonë u lokalizuan dhe arrestuan me qëllim esktradimin e tyre drejt Italisë, shtetasit Igli Dervishi, Shkëlqim Pashja, Ervin Dema, Edmond Zhuja dhe Genti Berisha. Gjithashtu, falë informacionit të siguruar nga policia shqiptare, është arrestuar në Spanjë një tjetër pjesëtar i grupit kriminal, Gerardo Pashja alias Astrit Pashja, 48 vjeç, me precedent penal.
Gjatë zhvillimit të këtij megaoperacioni, në Shqipëri, është identifikuar dhe shpallur në kërkim, shtetasi M. M., 28 vjeç, i cili kërkohet dhe për vepra të tjera penale.
Këta shtetas akuzohen nga Gjykata e Breshias, Itali, se të organizuar si grup, kanë trafikuar lëndë narkotike Kokainë nga Amerika e Jugut, nëpërmjet automjeteve të modifikuara për fshehjen e lëndës narkotike dhe e kanë shitur atë në qytete të Italisë dhe në shtete të Europës Qendrore.

Sipas mediave italiane mësohet se hetimet për çmontimi e këtij grupi kriminal nisën në gjysmën e dytë të vitit 2020, nga zbulimi i aktivitetit intensiv të shpërndarjes së drogës brenda disa ambienteve argëtuese në liqenin Garda dhe nga identifikimi i furnizuesit të kokainës që u shitej klientëve gjatë mbrëmjeve.
Nisur nga ky fakt, hetuesit ranë në gjurmët e grupit kriminal italo-shqiptar, i cili importonte sasi të mëdha droge nga Amerika e Jugut drejt Europës.

Në vitin 2021, një nga të dyshuarit u kap me 350 kg kokainë. Në krye të këtij grupi kriminal kanë qenë dy vëllezërit Çela, Suel dhe Mario Çela, banda e të cilëve cilësohet nga italianët si një më të rrezikshmet shqiptare.
Ata drejtonin operacionin e importimit dhe tregtimit të lëndës narkotike dhe grumbullimin e të ardhurave. Mësohet se kokaina transportohej në vendin tonë përmes linjës së autobusëve. Dy vëllezërit Çela kishin krijuar lidhje me drejtuesit e autobusëve të cilët operonin linjën “Breshia-Elbasan”.
Madje thuhet se Suel dhe Mario Çela për të bërë marrëveshjet me furnizuesit e drogës kishin shkuar në Kolumbi, Ekuador dhe Dubai, në Emiratet e Bashkuara Arabe.