Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar qytetarët e Kosovës që të evitojnë me çdo kusht kalimin nëpër Serbi, për shkak të situatës së krijuar mëngjesin e sotëm në pikat kufitare të shtetit serb.
MPJD dhe MPB theksojnë se janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për të siguruar udhëtarët e ndaluar në kufirin Serbi-Kroaci, ndërsa shtojnë se dhe do t’iu mbajnë të informuar rreth detajeve të reja, për të shmangur përhapjen e frikës dhe kaosit në vend.
“Të gjithë udhëtarët luten që të ndjekin me vëmendje situatën e tensionuar të sigurisë dhe të mos udhëtojnë përmes Serbisë. Duke marrë parasysh faktin që në qarkullim janë shumë lajme të rreme, të cilat synojnë përhapjen e frikës dhe kaosit, ju lusim të ndiqni @Kosovo_Police rreth përditësimeve më të fundit zyrtare në këtë drejtim”, thuhet në njoftimin e dy ministrive.
Mbi 300 qytetarë të Kosovës janë bllokuar sot në Serbi, në pikën kufitare me Kroacinë. Lajmi është bërë i ditur nga disa shtetas të Kosovës dhe Zyra ndërlidhëse e Kosovës në Serbi.
Sipas sekretarit të Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli kjo gjë ka ndodhur në shenjë hakmarrjeje ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion.
“Në hakmarrje dhe nervozizëm absurd ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në këtë institucion ndërkombëtar, autoritetet kufitare të Serbisë, në pikëkalimin 'Batrovci', Serbi - Kroaci, nga mesnata po i mbajnë të bllokuar së paku katër autobus me targa dhe udhëtarë, qytetarë të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Haxholli në Facebook.