Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka kërkuar nga NATO që të trajtohen me seriozitet lëvizjet e shtetit serb. Gjatë një takimi me Shefen e Divizionit për Operacione të Shtabit të Përgjithshëm në NATO, Ariella Viehe, Maqedonci bëri të ditur se vendosja e trupave ushtarake serbe përreth kufirit përbën kërcënim jo vetëm për Kosovën por edhe për ruajtjen e stabilitetit të Ballkanit.
“Gjatë takimit gjithashtu biseduam për gjendjen e sigurisë në Kosovë, dhe theksova faktin që vendosja e trupave ushtarake serbe përreth kufirit me Kosovën përbën kërcënimin të vazhdueshëm për stabilitetin e Ballkanit, e që duhet trajtuar me seriozitet lëvizjet e tilla të Serbisë edhe nga ana e NATO-s”,- shkroi ministri i mbrojtjes së Kosovës Ejup Maqedonci.
Ministri i mbrojtjes së Kosovës, Maqedonci shtoi se Kosova do të jetë e përkushtuar në ruajtjen e bashkëpunimeve të ngushta me NATO-n, ndërsa theksoi objektivin e saj për të qenë anëtare e kësaj aleance.
“Nënvizova që vazhdojmë me përkushtim të koordinohemi e të bashkëpunojmë ngushtë si ministri me KFOR dhe Ekipin Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), ndërsa ritheksova se objektivi ynë është anëtarësimi në NATO, në mënyrë që FSK të ofroj kontribut aktiv në misionet për ruajtjen e stabilitetit dhe paqes, e për këtë po angazhohemi çdo ditë”,- përfundoi Maqedonci.