
Ka përfunduar megaoperacioni i policisë së Kosovës në 21 lokacione në veri dhe jug të Mitrovicës me qëllim goditjen dhe zbërthimin e grupeve të strukturuara kriminale.
Sipas asaj që mediat vendase raportojnë, referuar informacioneve të bëra me dije nga vetë zëdhënësi i Prokurorisë së Mitrovicës, Valon Preteni, mësohet se në kuadër të këtij megaoperacioni kanë rënë në pranga 16 persona.
Operacioni i nisur që prej orëve të para të mëngjesit të kësaj të mërkure ka përfunduar me arrestimin e 16 personave. Ky aksion është ndërmarrë nga policia e Kosovës me qëllim çmontimin e grupeve kriminale të cilët aktivitetin e tyre e kanë fokusuar në kontrabandimin e armëve dhe municioneve.
Përmes një njoftimi zyrtar autoritetet e Kosovës bëjnë me dije se aksioni u shtri në jug dhe në veri të Mitrovicës. Përveç këtyre dy komunave, policia mësyu dhe në Vushtrri, Skenderaj dhe Leposaviq.
“Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, të mbështetura nga njësi relevante policore dhe Inspektorati Policor i Kosovës, me datën 19.03.2025, pas hetimeve disa mujore, ka bërë realizimin e urdhëresës së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ku janë kontrolluar gjithsej 21 lokacione në Mitrovicë Jugu, Mitrovicë Veri, Vushtrri, Skenderaj dhe Leposaviq”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gjatë këtij operacioni policor u bë i mundur gjeta dhe sekuestrimi i 9 armëve të zjarrit, 200 fishekë, municione të ndryshme, 15 telefona, pranga, thika, tyta armësh.
Njoftimi i plotë i Policisë së Kosovës:
Realizohet operacioni policor në 21 lokacione dhe arrestohen disa persona
Prishtinë, më 19 mars 2025
Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, të mbështetura nga njësi relevante policore dhe Inspektorati Policor i Kosovës, me datën 19.03.2025, pas hetimeve disa mujore, ka bërë realizimin e urdhëresës së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ku janë kontrolluar gjithsej 21 lokacione në Mitrovicë Jugu, Mitrovicë Veri, Vushtrri, Skenderaj dhe Leposaviq.
Nga ky operacion policor janë shoqëruar në Polici gjithsej 16 persona lidhur me dyshimin e kryerjes së veprave penale ‘detyrim’ si dhe ‘importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse’.
Si dëshmi materiale gjatë kontrollit janë sekuestruar 9 armë zjarri, 200 fishekë, municione të ndryshme, 15 telefona mobilë, 2 palë pranga, thikë, tyta të armës, fatrolla për armë dhe 1 DVR.
Pas intervistimit lidhur me rastin, me vendim të prokurorit, 13 persona shkojnë në ndalim prej 48 orësh.