Një lëvizje që çon sërish mbrapa marrëdhëniet Shqipëri-Greqi, e kanë quajtur mediat greke sulmin e qytetarit me vezë dhe kos ndaj eurodeputetit Fredi Beleri.
“Protothema.gr” raporton se Fredi Beleri fillimisht u has me një situatë të pakëndshme, teksa po tentonte të futej në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, ai u përball me një derë të mbyllur që iu hap vetëm pas pak minutash.
Po ashtu thuhet se Greqia është shqetësuar për imazhin e sulmit me kos nga një qytetar i eurodeputetit grek, pasi sipas tyre ka pasur mungesë të plotë të masave të sigurisë.
Në lidhje me këtë ka reaguar edhe ministria e Jashtme greke, e cila është shprehur se autoritetet shqiptare duhet të merrnin masa për garantuar sigurinë e eurodeputetëve
“Autoritetet shqiptare duhet të marrin masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e eurodeputetëve dhe lirinë për të kryer punën e tyre të papenguar”, theksoi dje në një deklaratë Ministria e Jashtme greke.
“Edhe pse po bëhet një përpjekje për të krijuar kanale komunikimi dhe bashkëpunimi në nivelin e "politikës së ulët", si për shembull në marrëdhëniet ekonomike dypalëshe, praktikat shqiptare nuk lënë shumë hapësirë për optimizëm për një progres më thelbësor. Në fund të fundit, çështja Beleri ka hedhur një “hije të rëndë” mbi marrëdhëniet greko-shqiptare gjatë gjithë periudhës së mëparshme”, shkruajnë mediat greke.
Po ashtu mediat greke përmendin edhe vizitën që pritet të mbajë Edi Rama në Selanik të dielën, ku thuhet ndryshe nga eurodeputet, qeveria greke ka vendosur një sërë masash për vizitën e Kryeministrit Edi Rama për sigurinë e tij.