
Vushtria e Kosovës u trondit dhe njëherë ditën e djeshme nga vrasja e dyfishtë e ndodhur në Stanoc ku Arsim Morina vrau me armë ish-punonjësen e tij 42-vjeçaren Nexhmije Haradini dhe më pas vrau dhe veten.
Në një lidhje direke për “Shqipëria Live”, Rrahim Ajeti i afërm i Nexhmije Haradinit, ka thënë se viktima nuk ka patur konflikte të mëparshme me autorin dhe se arsyet e vrasjes janë ende të paqarta.
Ndër të tjera ai thotë se me pronarin e furrës së bukën “Diellza” ku Haradini ka qenë më parë e punësuar së bashku me bashkëshortin e saj, ata kanë patur marrëdhënie shumë të mira.
I afërmi i 42-vjeçares tregon se komshija e cila shoqëronte Nexhmije Haradinin momentin e vrasjes, ka patur me vete dhe vajzën e saj të vogël ,të cilat kanë mbetur të lënduara në momentin që kanë tentuar të largohen pas vrasjes.
“E morëm veshë lajmin nga qytetarët dhe policia që na njoftoi. Dolëm dhe shkuam në vendin e ngjarjes.
Ajo punonte mbi 8 vote në atë furrë buke dhe para 6 muajsh e la punën aty dhe nisi në një tjetër kompani. Nuk ka pasur kurrë konflikt. Ngjarjen nuk e di si erdhi deri te vrasja dhe përse.
Kanë punuar bashkërisht me bashkëshortin në të njëjtën furrë buke. As bashkëshorti s’ka pasur konflikt me pronarin, madje kishin marrëdhënie shumë të mirë. Nuk e dimë ende si shkoi situata deri në vrasje.
E ndjera kishte tre fëmijë. Një djalë dhe dy vajza. Të tre ata e kanë marrë veshë lajmin.
S’ke pasur ende asnjë komunikim me të afërmit e autorit. Nuk besoj se do kemi komunikim. Janë organet e drejtësisë që duhet të merren me ta. Nuk e njihnim shumë pronarin. Por ata kanë pasur raporte të mira me të. Bashkëshorti është pak më mirë, më i qetë, por i mërzitur.
Me të ka qenë dhe një komshie bashkë me vajzën e saj. Ajo është lënduar duke ikur, sepse i ka gjuajtur dhe atyre, por fatmirësisht nuk i ka kapur. Ato janë ende në shok dhe nuk kemi folur ende me to. E kanë dhënë dëshminë në polici”, u shpreh Ajeti.
Autori, Arsim Morina e kishte ndjekur përgjatë gjithë ditës dhe në momentin kur fugoni e kishte kthyer prej punës, 58-vjeçari kishte pritur momentin kur 42-vjeçarja së bashku me një tjetër shtetase, identiteti i të cilës ende nuk dihet, dhe fëmijën e mitur ishin future në një nënkalim ai kishte nxjerrë armën dhe kishte qëlluar mbi të. Fatmirësisht gruaja dhe fëmija tjetër nuk mbetën të plagosur, por janë lënduar gjatë momentit që janë larguar me vrap nga tronditja.