Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore


Rajoni

Mbledhja e Komitetit të Ministrave, anëtarësimi i Kosovës në KiE jashtë axhendës: Kusht, dërgimi i draft-statutit të Asociacionit në Kushtetuese

Shkruar nga Newsbomb
Mbledhja e Komitetit të Ministrave, anëtarësimi i Kosovës
Foto nga mbledhja e Komitetit të Ministrave në KiE

Komiteti i Ministrave është mbledhur ditën e sotme në sesionin vjetor parlamentar në Strasburg, e cila përkon edhe me 75 vjetorin e krijimit të kësaj organizate.

Midis një morie çështjesh që pritej të diskutoheshin në këtë mbledhje, ishte edhe anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës.

Nisur nga informacionet zyrtare që vijnë nga Parlamenti Europian, Kosova nuk është në axhendën e sotme të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të Këshillit të Europës, pasi ajo nuk dërgoi në Kushtetuese draft-statutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Berlini pret që Kosova të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, si parakusht për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KiE).

Gjatë një fjalimi në Bundestag, ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock apeloi që Kosova të bëjë çfarë është e mundur për t’u anëtarësuar në KiE, teksa vuri theksin në dërgimin e draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese të propozuar nga emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi si parakusht për anëtarësimin.

“Kosova duhet të hyjë në Këshillin e Evropës. U bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira dhe atyre që janë përgjegjës në Kosovë të bëjnë gjithçka që është e mundur për të siguruar që të arrijmë shumicën e nevojshme për anëtarësimin sa më të shpejtë”,- tha ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock.

Gjithashtu, kryetari i delegacionit gjerman në KiE, Frank Schwabe i dha si porosi ministres para nisjes për në Strasburg, ku do të merrte pjesë në Ministerialin vjetor, që të mos harrojë rezultatin e votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Kosova duhet të bëjë gjithçka që mundet për të luajtur një rol në këtë, dhe këtë e ka bërë edhe përmes një letre dërguar për çështjen e pakicave serbe dhe Asociacionit të Komunave. Më shumë se 80% e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës votuan në favor të pranimit të Kosovës. Partia Socialdemokrate dhe partitë e koalicionit qeveritar e mbështesin këtë anëtarësim, prandaj Kosova duhet të bëhet anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës”, thuhet se ka thënë Frannk Schwabe.

Knut Abraham, nga CDU/CSU-ja në opozitë, e kritikoi në seancën e Bundestagut stafin e kancelarit Olaf Scholz për këtë qëndrim, që kanë si parakusht themelimin e Asociacionit.

Nuk e kuptoj pse skeptikët në Kancelarinë Federale nuk e kuptojnë se kjo është një mundësi historike. Nëse flitet për stabilizimin e Ballkanit Perëndimor, tani është koha, tani duhet të merret edhe vendimi përfundimtar për pranimin e Kosovës në KiE”,- tha Abraham.

Megjithatë, Abraham sugjeroi që Komiteti i Ministrave të Jashtëm të mblidhet në një tjetër seancë të posaçme, duke qenë se Kosova është treguar e gatshme të dërgojë draft-statutin për Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese.

Ky është një moment historik. Dhe qeveria e Kosovës ka bërë një hap shumë të rëndësishëm”,- përfundoi Abraham.

Kujtojmë se një ditë më parë, Kosova i dërgoi letër Këshillit Europian, ku zotohej se deri në fund të majit do të dërgonte në Kushtetuese draft-statutin për Asociacionin, por kjo gjë nuk u pranua.

Në një përgjigje që 3 liderët e vendeve anëtare të KiE, kryeministrja e Italisë, Georgia Meloni, presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz i thanë Kosovës se letra e dërguar nuk përmban hapa konkretë drejt zbatimit të kësaj marrëveshje dhe si e tillë, kërkesa e tyre nuk mund të merret në konsideratë.

Më tej, ato shpreheshin se propozimi i emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak nuk ishte një “propozim zotërinjsh” por e bazuar në praktikat më të mira evropiane dhe nisur nga ekspertët evropianë.

Fatkeqësisht, hapat që ju propozoni nuk adresojnë nevojën urgjente për hapa vendimtarë drejt krijimit të A/CSMM-së dhe rrezikojnë të minojnë më tej Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Së pari, projekt-statuti i paraqitur nga Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajçak, nuk është thjesht një “propozim zotërinjsh”.

Është një model solid, i hartuar me kujdes me ndihmën e juristëve dhe ekspertëve evropianë, bazuar në praktikat më të mira ekzistuese në Evropë. Ai merr plotësisht parasysh të gjitha vijat tuaja të kuqe si dhe kornizën kushtetuese dhe ligjore të Kosovës. Si e tillë, ajo gëzon mbështetjen tonë të plotë. Le të theksojmë edhe një herë se ne nuk duam një Kosovë jofunksionale”,- thuhet në përgjigjen e 3 liderëve.

Një muaj më parë, pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, organizata më e rëndësishme ndërshtetërore evropiane për të drejtat e njeriut, dukej i arritshëm. Me një shumicë mbresëlënëse prej mbi 82 përqind, deputetët në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg votuan për pranimin e shtetit më të ri evropian si anëtarin e 47-të.

Ky vendim pasoi rekomandimin e ish-ministres së Jashtme greke Dora Bakojanis, e cila më parë kishte shqyrtuar përshtatshmërinë e Kosovës si raportuese, ndërsa pritej që fjalën e fundit, për të qenë ose jo pjesë e organizatës së KiE ta jepte ditën e sotme Komiteti i Ministrave.

Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia me 17 shkurt të vitit 2008 dhe deri më tani është njohur zyrtarisht nga 116 vende. Nga 46 vendet anëtare të Këshillit të Europës, 34 janë vende që e kanë njohur pavarësin e saj.

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese