11 korriku shënon masakrën më të tmerrshme gjenocidiale mbi njerëzimin, ku mbi 8000 burra dhe djem myslimanë boshjakë u vranë pa mëshirë nga forcat shoviniste serbe.
Në maj të këtij viti, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e shpalli 11 Korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.
Masakra e Srebrenicës është cilësuar si më e rënda në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore, pasi në Srebrenicë dhe zonat përreth, forcat serbe të Bosnjës vranë më shumë se 8.300 boshnjakë në korrik të vitit 1995.
Më 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë lëshoi një vendim që thotë se Ushtria e Republikës Sërpska kreu gjenocid në Srebrenicë në korrik të vitit 1995, në një kohë kur ai vend ishte shpallur zonë e mbrojtur e OKB-së.
Gjykata gjithashtu, bëri Serbinë fajtore për mosparandalimin e gjenocidit dhe se ajo kishte shkelur obligimin për të ndëshkuar personat që kryen gjenocidin në këtë zonë.
Para këtij vendimi, disa gjykata kanë dënuar më shumë se 50 persona me mbi 700 vjet burgim për gjenocid dhe krime lufte në Srebrenicë.
Në mesin e tyre janë edhe ish-presidenti i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq. Të dy janë dënuar me burim të përjetshëm.
Edhe pas më shumë se dy dekada pas vrasjeve, ende vazhdojnë të gjenden varre masive. Identifikimi i viktimave është i vështirë, pasi trupat ishin copëtuar nga ekskavatorët që i hidhnin në varre.
Çdo vit më 11 korrik, eshtrat e atyre që identifikohen gjatë vitit të fundit varrosen në Qendrën përkujtimore të Potoçari.