Gjatë ditës së djeshme përveç autobusëve ku po udhëtonin mbi 300 qytetarë kosovarë, autoritetet serbe kan ëndaluar dhe disa efektivë policise të Kosovës.
Në fillim u njoftua për ndalimin e zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës për komunitetin serb, Dejan Jankoviq dhe më pas edhe për ndalimin e 10 pjesëtarë të Policisë së Kosovës (shqiptarë dhe serb) të cilët janë ndaluar në kalimet kufitare Merdar, Jarinje, Dheu i Bardhë dhe në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq ishte duke udhëtuar me gruan e tij në momentin kur e ndaluan dhe e shoqëruan në komisariat në qytetin serb Rrashkë.
Pas shumë orësh në komisariat, 5 nga punonjësit e policisë u liruan, këtë e njoftoi ministria e Jashtme e Kosovës në orët e para të mëngjesit, ndërsa pak me herët Kryeministri Kurti ka njoftuar se janë liruar dhe 4 nga 5 policët e ndaluar.
Albin Kurti tha se sipas informacioneve të fundit, katër zyrtarë policorë të Kosovës që po mbaheshin në Rashkë të Serbisë, janë liruar dhe i ndaluar vazhdon të mbetet vetëm zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq.
Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Kurti tha se zyrtarët policorë ishin ndaluar në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në Merdarë, Dheu i Bardhë e Jarinjë, si dhe në një pikëkalim kufitar mes Serbisë dhe Kroacisë.
"Zëvendësdrejtori i policisë vazhdon të mbahet në burg në Serbi",- tha Kurti, duke iu referuar Jankoviqit.
Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë bëri të ditur se pesë policët, ishin dërguar në Rashkë. Ai po ashtu tha se Serbia ndaloi dhe "keqtrajtoi" për më shumë se 20 orë, qindra qytetarë të Kosovës që po kalonin nëpër Serbi me autobusë.
Sipas Kurtit, këto veprime të autoriteteve serbe u bënë në shenjë hakmarrjeje, pasi më 16 prill Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës mbështeti anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
“Veprimi hakmarrës i Serbisë është menduar edhe si akt me qëllim të përshkallëzimit të tensioneve. Kjo sepse Serbisë nuk i konvenon normaliteti, paqja dhe qetësia në rajon, e sidomos në Kosovë”, - tha Kurti.