
Avokati i familjes së Liridona Ademajt, Leutrim Syla, ka zbuluar detaje të reja mbi aktakuzën e ngritur ndaj të dyshuarve për këtë krim, gjatë një lidhjeje në emisionin "Top Story" në Top Channel.
Sipas tij, Prokuroria ka analizuar me kujdes të gjitha provat dhe ka dalë në përfundimin se vrasja ishte e planifikuar. Nga aktakuza rezulton se Murseli kishte konflikte të vazhdueshme me Liridonën, të cilat, sipas avokatit, ishin shkaktuar prej tij.
Pavarësisht se ajo e kishte falur pas një situate të mëparshme, xhelozia dhe tensionet në marrëdhënien e tyre e kishin bërë të padurueshme bashkëjetesën për të. Në këtë situatë, ai duket se kishte vendosur ta eliminonte bashkëshorten e tij. Po ashtu, Murseli kishte edhe probleme financiare të konsiderueshme, me borxhe që kapnin shifrën mbi 100 mijë euro ndaj disa personave.
"Në lidhje me aktakuzën mund të them që Prokuria dha një arsyetim të të gjithë situatës. 3 të dyshuarit janë akuzuar për vrasje të rëndë për motive të ndryshme. Naim Murseli e kreu vrasjen në mënyrë dinake. Një nga arsyet janë çrregullime familjare. Naimi ka pasur një problem që është shkaktuar nga Naimi, edhe pse ia ka falur Liridona është treguar xheloze dhe prandaj Naimi ka dashur ta heqë nga jeta e tij. Naimi në një ambient patriarkal nuk e ka menduar të lehtë divorcin.
Fëmijët fillimisht jetuan me prindërit e Naimit, por pasi autoritetet suedeze vunë re disa parregullësi. Sipas aktakuzës, Naimi u kishte borxh më shumë se 100 mijë euro personave të ndryshme. Ai kishte blerë një shtëpi me kredi në Kosovë, por ende nuk ishte ende e tija. Naimi e pretendon veten të pafajshëm," tha avokati.
Nga ana tjetër, opinionisti Arjan Curri ka ngritur dyshime mbi një person të tretë të përfshirë në këtë histori, duke aluduar për një trekëndësh dashurie. Ai është i bindur se Prokuroria e di identitetin e këtij personi, por mbetet e paqartë nëse ai ka luajtur një rol aktiv apo pasiv në këtë ngjarje tragjike.
"Mbas fjalës “çrregullime martesore“ ka diçka që nuk shkon dhe këtu ka një trekëndësh dashurie. Jam i sigurt që prokuroria e di kush është personi i tretë. Kjo ka shumë vlerë. Ne nuk e dimë nëse personi i tretë ka pasur rol aktiv apo pasiv në këtë vrasje. Ne nuk e dimë që personi i tretë është i përfshirë dhe thirrur në prokurori. Nëse nuk është thirrur, atëhërë motivat e kësaj ngjarje janë të paplota. Mua nuk më intereson emri, por a e ka shtyrë që Naimi të vrasë gruan e tij," u shpreh Curri.
Kujtojmë se një vit më parë, Curri pati një përplasje publike me këshilltarin e Behgjet Pacollit, pas një deklarate të tij ku aludonte se Naim Murseli mund të kishte pasur një lidhje me një burrë.