Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës ka votuar “pro” kërkesës së Kosovës për anëtarësimin në KiE. Për anëtarësimin e saj në KiE, 171 deputetë votuan pro, 29 ishin kundër dhe 11 abstenuan, ndërsa asnjë nga amendamentet e propozuara nga Serbia nuk u miratua.
Ndërkohë që vlen të theksojmë se fjalën përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës në KiE duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Europës në maj, të cilët duhet të vendosin përfundimisht për të pranuar apo jo Kosovën si anëtaren më të re të organizatës.
Në diskutimet e zhvilluara më herët, në këtë asamble kishim debate dhe kundërshtime midis përfaqësuesvë të vendeve evropiane.
Ndërkohë që ishin të shumtë ata që e mbështetën vendimin që Kosova të bëhej pjesë e KiE-së, kishte të tjerë nga përfaqësuesit e delegacionit serb dhe ai hungarez që e kundërshtuan këtë amendament me arsyen se Kosova nuk kishte plotësuar kushtin për Asociacionin për pakicat serbe në veri.
Dora Bakoyannis, e cila edhe e ka përpiluar këtë raport, tha se gjatë punës së saj, asnjë “gur nuk ka mbetur pa u lëkundur” në përgatitjen e raportit dhe tha se është konfirmuar se, pavarësisht disa mangësive, Kosova është demokraci funksionale duke i bërë thirrje Këshillit të Ministrave të ftojë Kosovën të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.
Ajo tha se juristët kanë konfirmuar qëndrimin se Kosova i përmbush kërkesat bazike për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Nga ana tjetër, Zsolt Nemeth nga Hungaria si përfaqësues i Partisë Evropiane Konservatore, tha se është kundër raportit që u prezantua sot.
Një ndër arsyet kryesore, siç tha ai, është çështja e mosthemelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Çështja e dytë është Serbia. Mospërfillja e interesave të Serbisë është destabilizuese”, tha ai.
Deputetja serbe, Biljana Pantiq Pilja tha se raportuesja greke Dora Bakoyannis e cila rekomandoi anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës do të hyjë në histori “duke e shkelur të drejtën ndërkombëtare”.
Ajo tha se Asociacioni “nuk do të themelohet” nëse Kosova anëtarësohet në Këshillin e Europës”.
“Nëse e ftoni të ashtuquajturën Kosovë në Këshillin e Europës pa themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Asociacioni nuk do të themelohet kurrë”, tha ajo.