
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, e mbajtur këtë të enjte, ka dështuar për herë të dytë. Sipas mediave kosovare mësohet se seanca e ditës së sotme përfundoi me kaos dhe braktisje të sallës.
Kanë qenë fillimisht përfaqësuesit e LDK-së dhe AAK-së, të cilët vendosën që të braktisin seancën e thirrur nga kryesuesi, Avni Dehari. Më pas kanë qenë deputetët e zgjedhur të PDK-së dhe LVV-së ata që u larguan nga seanca.
Në sallë u kërkua sërish nga Vetëvendosja që të japin dorëheqjen nga postet e ekzekutivit që kanë pjesëtarët e saj.
Dështimi i kësaj seance për herë të dytë bën që deputetët e rinj të dalë nga zgjedhjet e fundit të mos kenë mundësi që të kryejnë betimin dhe të marrin zyrtarisht mandatin e tyre. Sakaq theksohet se seanca tjetër plenare pritet të mbahet më 19 prill.
Kryesuesi i seancës, deputeti i zgjedhur i LVV-së, Avni Dehari, tha se nuk pati konsensus në konsultimet që i thirri paraprakisht me përfaqësuesit e partive politike.
“Takimi shpërfaqi qëndrimet aktuale të tyre. Pati përfaqësues që e braktisën konsultimin. Fatkeqësisht nuk pati konsensus. Seanca do të vazhdojë brenda 48 orëve, në orën 12:00 më 19 prill 2025, me shpresë që deri atëherë të ketë pajtueshmëri”, tha ai.
Nga ana tjetër, deputetja e zgjedhur në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, akuzoi PDK-në, LDK-në dhe AAK-në, duke thënë se janë përgjegjës për bllokimin e formimit të institucioneve të reja.
Ajo e quajti të pakuptimtë se si partitë që ishin në opozitë mandatin e kaluar ‘po hezitojnë’ të marrin mandatet që fituan në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Kujtojmë se seanca ditën e martë u ndëpre pasi legjislatura e nëntë nuk arriti të kalonte pikën e parë, atë të miratimit të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve.
Aryseja e ndalimit të seancës ishte pasi Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kërkuan nga anëtarët e Qeverisë në detyrë, që janë zgjedhur deputetë, të ofrojnë dorëheqje formale nga postet ekzekutive.