
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Konferencën e Sigurisë në Mynih, është takuar me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen. Ky është takimi i parë i tyre që prej marrjes së postit të Sorensen, pas ikjes së Miroslav Lajçak.
Zyra e kryeministrit ka bërë të ditur lajmin, teksa ndau edhe pamje nga takimi i tyre. Mësohet se gjatë takimit është diskutuar për progresin e Kosovës në 4 vitet e fundit, duke e cilësuar si një shembull se si zhvillimi dhe demokracia shkojnë krah për krah.
Gjithashtu, bëhet me dije se raporti mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë në fokus të diskutimeve. Kryeministri Kurti ka theksuar rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike të vitit 2013, duke vënë në dukje se ajo po vazhdon të shkelet nga Serbia.
Njoftimi i plotë:
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Konferencën e Sigurisë në Mynih, takoi Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen.
Në këtë takim të parë ndërmjet tyre, kryeministri Kurti uroi z. Sørensen për pozitën dhe përgjegjësitë e reja, teksa veçoi progresin e Kosovës në katër vitet e fundit, me theks te rritja ekonomike mesatare prej 6%, raporti i fundit i BE-së për vendin, që evidenton progres në 36 nga 38 fushat e vlerësimit dhe asnjë fushë me regres, pastaj rishpërndarja sociale, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe avancimi i të drejtave politike e lirive civile. Ai tha se Kosova është shembull se si zhvillimi dhe demokracia shkojnë krah për krah.
Sa i përket raporteve me Serbinë, kryeministri theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit të vitit 2023 dhe aneksit të saj. Në të njëjtën kohë, ai tha se kjo marrëveshje po vazhdon të shkelet e të mos respektohet nga Serbia, e cila gjithashtu refuzon nënshkrimin e saj dhe përmes letrës së ish-kryeministres Bërnabiq, praktikisht Serbia është tërhequr nga marrëveshja. Për të ecur përpara nevojitet nënshkrimi i marrëveshjes, tërheqja e letrës së ish-kryeministres Bërnabiq dhe dorëzimi i kryeterroristit Millan Radoiçiq, për të cilin tashmë ka aktakuzë 160 faqëshe nga Prokuroria e Republikës së Kosovës. Kryeministri Kurti tha se është absurde që Presidenti i Serbisë ia imponon dorëheqjen kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviq, por nuk e dorëzon Radoiçiqin.