Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një udhëtim zyrtar dyditor në Zvicër teksa ndër çështjet e diskutuara është dhe raporti Kosovë-Serbi. I ftuar nga Shoqëria zviceriane për Politikën e Jashtme, së bashku me redaktorin e gazetës NZZ, Andreas Ernst, ai ka diskutuar mbi raportin me Serbinë dhe mbi procesin e dialogut të lehtësuar nga BE.
Kurti thotë se Serbia përbën një rrezik të madh për sigurinë e Kosovës dhe jo vetëm, duke mos lënë pa përmendur vrasjen e rreshterit të policisë në Basnjkë, si dhe projektin e “Serbisë së Madhe” që rrezikon qartë kufijnë e vendeve fqinje.
“Përderisa elita e saj autoritare vazhdon të propagandojë dezinformata, të mobilizojë trupa përgjatë kufirit tonë dhe të refuzojë të ndjekë penalisht terroristët që vranë rreshterin tonë të policisë një vit më parë në Basnjkë të Zveçanit, Serbia gjithmonë do të përbëjë një rrezik të madh për sigurinë jo vetëm të Kosovës, por edhe të vendeve të tjera fqinje që i pengojnë projektit të “Serbisë së Madhe”, që tani e quajnë “bota serbe”, përkatësisht Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina po ngacmohen përveç Kosovës”, ka theksuar Kurti në fjalimin e tij.
Ai nuk ka lënë pa përmendur dhe destabilizimin rajonal që po shkaktojnë lidhjet e Rusisë dhe Kinës me Serbinë duke e cilësuar si një përçarje dhe pengesë drejt demokracisë.
“Rusia por edhe Kina kanë zgjeruar ndikimin e tyre në rajon, si ekonomikisht ashtu edhe politikisht. Rusia përdor lidhjet historike dhe kulturore për të ushtruar fuqinë e saj, duke i bërë thirrje shpirtërores së thellë të popullit serb, i cili është i lidhur ngushtë me Kishën Ortodokse Ruse, ndërsa Kina përdor investime dhe kredi për të forcuar ndikimin e saj. Këto ndikime destabilizojnë rajonin dhe krijojnë një pengesë të fortë kundër përparimit demokratik”, ka deklaruar Albin Kurti.