Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Ditën e Evropës tha se Kosova duhet të jetë pjesë e familjes evropiane dhe që rrugëtimi drejt BE duhet të vlerësohet në baza meritokracie.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti u shpreh se Kosova e ka dëshmuar vazhdimisht gatishmërinë për të kontribuar në mbrojtje të demokracisë.
“Republika e Kosovës jo vetëm që i bashkohet thirrjeve dhe misionit të mbrojtjes së demokracisë anekënd Evropës, por edhe në vazhdimësi dëshmon vullnetin e gatishmërinë për të kontribuar në këtë drejtim, si në përafrimin e politikës së jashtme të vendit me atë të Bashkimit Evropian, por edhe në mbështetjen e të gjitha masave të vendosura ndaj agresionit të pajustifikuar rus ndaj Ukrainës.
Por që të kontribuojmë e të bëjmë edhe më shumë, duhet të jemi pjesë e familjes evropiane e rrugëtimi ynë të vlerësohet në baza meritokracie. Teksa edhe zgjerimi është rikthyer në vëmendje e agjendën e BE-së pas shumë vitesh, vendi ynë ka aplikuar dhe për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Avancimi i vendit tonë në rrugën drejt BE-së, do ishte sinjal pozitiv për vendin dhe për vlerat demokratike”, shkroi Kurti në rrjetet sociale.