3 shqiptarë janë arrestuar nga policia greke, pasi ju është gjetur një sasi e konsiderueshme lëndë narkotike.
Sipas mediave vendase, gjatë një kontrolli të policisë në kuadër të një aksioni të Departamentit të Anti-Drogës së Atikës, dy ditë më parë, në një apartament në zonën e Alimos është gjetur 13 kilogramë kanabis i papërpunuar.
Në vijim të hetimeve, është kontrolluar edhe një apartament në zonën e Kolonos. Brenda apartamentit policia zbuloi një laborator të pajisur plotësisht dhe funksional për kultivimin e kannabisit hidroponik, ndërsa u gjetën dhe sekuestruan edhe mbi 8 kilogramë të tjerë të këtij lloji.
Gjatë këtij aksioni, autoritetet kanë vënë në pranga dy shtetasit shqiptarë, Agim Kasa dhe Pllum Kasa të moshës 42 vjeç, të cilët kanë qenë brenda në apartament, në momentin e ndërhyrjes së policisë.
Gjithashtu, në vijim të hetimeve rezultoi se ata punonin për llogari të shtetasit tjetër shqiptar, Oresti Metushi 23 vjeç.
Për këtë policia ka ushtruar kontroll në një apartament në katin e dytë në rrugën “Avlonos” nr.102 në Athinë ku u arrit të kapej dhe arrestohej 23 vjeçari.
Gjatë kontrollit, atij i është sekuestruar edhe një armë zjarri pistoletë e llojit “Ekol Tuna” 8 mm me 11 fishekë të të njëjtit kalibër.
Në këtë operacion, përpos lëndës narkotike janë gjetur dhe sekuestruar gjithashtu edhe 4 celularë, 1 peshore elektronike e sende të tjera.
Të arrestuarit janë dërguar në Prokurorinë Penale të Athinës.