Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është thirrur të paraqitet në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Ku lajm është bërë me dije nga vetë zëdhënësi i qeverisë Kurti, Përparim Kryeziu. Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ai ka bërë me dije se kreu i qeverisë është thirrur në Prokurori, por nuk ka treguar se në çfarë cilësie apo për çfarë arsye i është bërë kjo thirrje.
Sipas Kryeziut, qëllimi është ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të 2025, sikurse në 2021 një vendim i gjyqësorit për pamundësinë e kandidimit në zgjedhjet të 14 shkurtit 2021.
“Teksa kryeministri Kurti ndodhet në mbledhje të Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! për të përmbyllur listën e kandidatëve për deputetë nga koalicioni LVV, Guxo dhe Alternativa në zgjedhjet e vitit 2025, nga kryeministria më njoftuan se ka ardhur një ftesë për të nga Prokuroria Speciale.
Në zgjedhjet e kaluara kishte një vendim gjyqësor i cili ia kishte pamundësuar kandidimin në garën zgjedhore të 14 shkurtit 2021, kurse tash përmes kësaj ftese po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të 2025. Qëllimi mbetet i njëjtë. Metoda ka ndryshuar. Kjo është ndërhyrje e sistemit të drejtësisë në proces zgjedhor”, shkruan ai.