
Përfaqësuesja e Lartë e BE për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas do të vizitojë nesër Prishtinën. Ajo ka nisur turin e saj të vizitave në Ballkan, sot, duke u ndalur së pari në kryeqytetin serb.
Në agjendën e bërë publike nga Bashkimi Europian, thuhet se Kallas do të takohet me përfaqësues të partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile.
“Në Kosovë, Përfaqësuesja e Lartë Kallas do të takohet me përfaqësues të partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile. Ajo do të mbajë një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Evropës më 22 maj në orën 15:45, transmetuar drejtpërdrejt në EBS.
Përfaqësuesja e Lartë Kallas do të vizitojë Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX). Ajo do të takohet edhe me komandantin e KFOR-it Enriko Barduani”, thuhet në njoftimin zyrtar të Brukselit.
Takimet e saj me krerët e partive do të mbahen në Zyrën e BE-së në Prishtinë, në nivel të liderëve të partive dhe dy zyrtarëve tjerë.
Gazeta Express ka arritur të mësojë se kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj do të jetë njëri nga liderët që do ta takojë Kaja Kallas nesër në ora 18:40, ndërsa nga LDK në takimin e ndarë me Kallas pjesëmarrës do të jenë kryetari Lumir Abdixhiku, nënkryetari Lutfi Haziri dhe nënkryetarja Doarsa Kica -Xhelili.
Në njoftimin e Brukselit nuk përmendet ndonjë takim i veçantë me kryeministrin Albin Kurti, ndërsa me presidenten Vjosa Osmani ajo nuk do të takohet dot për shkak të vizitës shtetërore të Osmanit në Zvicër. Ato u takuan një javë më parë në Samitin e Tiranës.