Kroacia do të mbajë ditën e sotme zgjedhjet parlamentare, ku vota e kroatëve do të vendosë për partinë që do të qeverisë mandatin e ardhshëm në këtë shtet. Partia e kryeministrit Andrej Plenkoviç, Bashkimi Demokrat Kroat, HDZ do të përballet me konkurrenten e saj më të fortë Partinë Social Demokrate, SDP si dhe partitë e tjera të vogla pjesëmarrëse.
Numri i votuesve që do të marrin pjesë në votime përllogaritet në rreth 3.7 milionë, të cilët do të zgjedhin mes më shumë se 2,000 kandidatëve. Qendrat e votimit hapen në orën 7 të mëngjesit dhe mbyllen në orën 19:00, ndërkohë që rezultatet zyrtare priten gjatë ditëve në vijim.
Duke u nisur nga sondazhet e zhvilluara më parë nga IPSOS mbi rezultatin e zgjedhjeve në këtë vend pritet që të kryesojë Bashkimi Demokrat Kroat me 60 vende në Parlamentin me 151 anëtarë, ndjekur nga socialdemokratët me 41 vende në parlament. Por, social-demokratët kanë deklaruar se nuk përjashtohet mundësia për bashkëpunim me partitë e vogla në vend për të fituar shumicën parlamentare, duke përmbysur në këtë mënyrë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.
Bashkimi Demokrat Kroat, HDZ, ka dominuar politikën e vendit që nga pavarësia e Kroacisë nga Jugosllavia në vitin 1991. Vitet e fundit, HDZ po përballet me akuzat për korrupsion dhe Nepotizëm. dhe pse, kryeministri Andrej Plenkoviç shpreson ta shfrytëzojë mbështetjen e kahershme që gëzon në vend për pranimin e Kroacisë në Bashkimin Evropian, përdorimin e euros në vend dhe rritjen e turizmit.
Rivali kryesor i Plenkoviç është Presidenti Zoran Milanovic, i cili është shprehur se do të japë dorëheqjen për t’u bërë kryeministër nëse Partia Social Demokrate (SDP) e merr pushtetin me ndihmën e partive të tjera më të vogla.
Ndërkohë vlen të theksojmë se nëse pushtetin e merr një koalicion i udhëhequr nga socialdemokratët, kjo mund të ndryshojë qëndrimin e vendit për çështjet kryesore si mbështetja për Ukrainën në luftën e saj me Rusinë, ku Presidenti Milanovic e kundërshton ndihmën për Ukrainën.