Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përmbyllur fushatën elektorale krah familjes së tij dhe me një tubim masiv në Prishtinë.
Në një postim në rrjetet sociale, Abdixhiku theksoi se fushata e LDK-së ka qenë një udhëtim i jashtëzakonshëm, ku ai u shpreh mirënjohës për përkushtimin e qytetarëve. Ai theksoi se angazhimi për Kosovën është më shumë se një detyrë politike, duke e krahasuar me një familje të vërtetë.
Ai theksoi se pas zgjedhjeve, Kosova do të ringrihet si një komb i bashkuar, duke shtuar se misioni i përbashkët është ndërtimi i një të ardhmeje më të mirë për vendin.
“Nesër, në zgjedhje gjejmë festë; pas zgjedhjeve ringritemi si një. Dhe në këtë ringritje tonën, mos u ndalni të luftoni e përpiqeni për atë që mendoni se është e drejtë; për Republikën tonë, për atdheun tonë, për Kosovën,” përfundoi ai.
Reagimi i plotë:
Ju faleminderit! Më keni qëndruar afër si një familje e vërtetë, më shumë se sa një familje politike. Asgjë mangut në këtë rrugëtim. Për këtë do t’u jem mirënjohës për jetë. Shpresoj të kem ushtruar para jush me po aq përulje e përkushtim, besimin që kjo shtëpi e demokracisë më ka vënë mbi supe në këtë fushatë.
Shpresoj të ju kem prirë mbarë. Shpresoj të kem arritur të përmbushë pritjet e juaja; shpresoj, mbi të gjitha, të kem arritur të sillem si një rugoviste i vërtetë. Sonte, gara e brendshme e Kosovës përfundon. Nesër nisë beteja jonë për Kosovën.
Nesër, në zgjedhje gjejmë festë; pas zgjedhjeve ringritemi si një. Dhe në këtë ringritje tonën, mos u ndalni të luftoni e përpiqeni për atë që mendoni se është e drejtë; për Republikën tonë, për atdheun tonë, për Kosovën. Sepse nuk ka Republikë të partive.
Nuk ka Republikë të tekeve. Nuk ka Republikë të ngjyrave. Ka një Kosovë dhe një Kosovë të vetme. Ka një ëndërr dhe një ëndërr të vetme. Ka një mision dhe një mision të vetëm. Republika jonë është vet ëndrra jonë! Ndryshimi sot, është misioni jonë!