Hapësire reklamuese

Rajoni

Kosova shpall të mërkurën ditë zie në nder të Ismail Kadaresë

Shkruar nga Newsbomb
Kosova shpall të mërkurën ditë zie në nder të
Shkrimtari Isamail Kadare dhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, ka marrë vendim që dita e mërkurë, 3 korrik 2024 të shpallet ditë zie shtetërore në nderim të kolosit të letrave shqipe, shkrimtarit shqiptar me famë botërore, të ndjerit Ismail Kadare.

Ismail Kadare u nda nga jeta mëngjesin e ditës së djeshme, 1 Korrik në banesën e tij në Tiranë në moshën 88-vjeçare pas një arresti kardiak.

Ndërsa qeveria shqiptare shpalli ditë zie kombëtare sot dhe nesër ku në nderim të shkrimtarit, në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike flamuri kombëtar është ulur në gjysmështizë.

Zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së mërkurë, ditën kur edhe varroset i ndjeri Ismail Kadare, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.

Presidentja Osmani, në qershor të vitit të kaluar, e ka dekoruar shkrimtarin Ismail Kadare me Urdhrin “Hasan Prishtina”, ndër Urdhrat më të lartë të cilin e jep Republika e Kosovës për personalitetet më të shquara të kombit. Ndërsa, në gusht, Presidentja shpalli dekretin me të cilin shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, i është dhënë nënshtetësia e Republikës së Kosovës.”- njofton presidenca.

Ditën e djeshme Vjosa Osmani u shpreh se i gjithë populli shqiptar është në zi për humbjen e dijetarit më të njohur shqiptar. 

“Populli i Kosovës, sikur i gjithë populli shqiptar, sot është në zi. Ai humbi kolosin e dijetarin më të njohur shqiptar, humbi mbështetësin e pandalshëm të së drejtës së popullit shqiptar në Kosovë për të jetuar i lirë e i mosvarmë e promovuesin e pandalshëm të kësaj të drejte gjithandej botës. Humbi shkrimtarin e papërsëritshëm, të cilit si Presidente kisha nderin t’ia dorëzoja shtetësinë e Kosovës kohë më parë, sikurse edhe Urdhrin "Hasan Prishtina."–u shpreh presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Homazhet publike dhe ceremonia shtetërore për Isamil Kadarenë do të organizohen në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, Tiranë, ditën e mërkurë, datë 3.7.2024, përkatësisht, nga ora 9:00 deri në orën 11:00, dhe nga ora 11:30 deri në orën 12:30. Po kështu në orën 13:00, të 3 korrikut në nderim të tij do të ndërpritet çdo veprimtari dhe të mbahet një minutë heshtje. 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese