Nga shkurti, në Kosovë do të nisë imunizimi i djemve me vaksinën kundër papilloma virusit (HPV), pasi një vaksinë e tillë nisi të administrohej për vajzat vitin e kaluar.
Në një konferencë për media, të organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, u tha se që nga nisja e procesit të imunizimit, 10.000 vajza janë vaksinuar kundër këtij virusi.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se nisja e imunizimit të djemve me vaksinën HPV është hap thelbësor drejt parandalimit të sëmundjeve serioze.
“HPV është virus i rrezikshëm. Kanceret që mund të shkaktohen nga ky virus nuk bëjnë dallime dhe vaksinimi i djemve është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm për të mbrojtur edhe ata nga pasojat shëndetësore në të ardhmen”, tha Vitia.
Sipas tij, HPV shkakton probleme shëndetësore edhe te djemtë edhe te vajzat si dhe lloje të ndryshme të kancereve.
Kosova vitin e kaluar futi në kalendarin e imunizimit vaksinën HPV. Vajzat e vaksinuara janë të moshës 11-12 vjeç. E njëjta grup-moshë e djemve synohet të imunizohet, thanë nga MSH-ja dhe IKSHPK-ja, përfaqësuesit e të cilëve u bënë thirrje prindërve që të imunizojnë fëmijët e tyre.
Autoritetet bënë të ditur se veçse janë shpërndarë në nivel vendi, dozat e kësaj vaksine do të jepen falas. Paralelisht me nisjen e imunizimit të djemve, do të vazhdojë edhe vaksinimi i vajzave.
Më 2022, Kosova kishte siguruar dozat e para të vaksinës, marrja e së cilës është e rekomandueshme, por jo e detyrueshme.
Që nga nisja e dhënies së kësaj vaksine, Fetije Fetaj, nga IKSHPK tha se nuk është raportuar për asnjë rast që ka pasur efekte të rënda anësore.