
Një ngjarje e rëndë është shënuar në një qytet të Bullgarisë, pasi disa të mitur nga mosha 4 deri në 14 vjeç kanë konsumuar lëndë narkotike nëpërmjet ushqimit.
Sipas mediave vendase, të paktën 6 fëmijë janë shtruar ne Spitalin Universitar “Dr. Georgi Stranski” në Pleven në veri të Bullgarisë, duke qenë se konsumuan biskota të përbëra me kanabis.
Zëdhënësja e spitalit, Tanja Vashkova ka treguar se gjithashtu edhe një fëmijë tjetër është duke u trajtuar në ambjetet mjekësore për marrjen e lëndës narkotike kokainë.
Mësohet se fëmijët janë shtruar në Klinikën e Toksikologjisë në gjendje të rëndë me çrregullime sasiore dhe cilësore të vetëdijes. Ato i janë nënshtruar mjekimve të specializuara mjekësore, ndërsa mësohet se gjendja e tyre është ende e rëndë.
“Fëmijët u shtruan në gjendje të rëndë me çrregullime sasiore dhe cilësore të vetëdijes. Ata iu nënshtruan reanimimit, detoksifikimit dhe trajtimeve specifike. Aktualisht shenjat e tyre vitale janë të qëndrueshme, por ende janë të përgjumur”,- është shprehur zëdhënësja Tanja Vashkova.
Sipas Vashkovës, për këtë çështje janë vënë në dijen organet kompetente, ndërsa kanë nisur hetimet për të zbuluar të implikuarit e kësaj ngjarje të tmerrshme me pasoja serioze për shëndetin e këtyre fëmijëve.
“Të gjithë fëmijët e sëmurë janë nga Pleven dhe dyshohet se kanë marrë pako me biskota nga persona të panjohur. Për situatën janë njoftuar policia, Departamenti i Mbrojtjes së Fëmijëve dhe Dhoma Pedagogjike e Fëmijëve”,- ka shtuar Vashkova.
Autoritetet po u bëjnë thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të edukojnë fëmijët e tyre për rreziqet dhe të monitorojnë nga afër ndërveprimet e tyre dhe ushqimin që konsumojnë.