Liderët e Bashkimit Europian kanë paralajmëruar se kandidatët nga Hungaria nuk do të jenë më pjesë e pozicioneve të rëndësishme në Union.
Masat e ndërmarra janë një mënyrë ndëshkimi për politikat arrogante dhe shpeshherë kundër interesave të BE-së të kryeministrit hungarez, Viktor Orban, i cili po ashtu akuzohet se ka mbajtur lidhje të ngushta me Kremlinin dhe ka refuzuar që të dërgojë ndihma në Kiev.
Sipas prestigjozes Politico, Komisioneri për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Oliver Varhelyi nuk do të ketë më mbështetjen e Komisionit, pasi ai akuzohet për minimin e politikës ndaj shteteve kandidate për në BE.
Konfuzioni i krijuar kohët e fundit me ligjin për “agjentët e huaj” në Gjeorgji, i cili shihet gjerësisht si një mënyrë për partinë në pushtet të Tbilisit për të shtypur mediat opozitare, aktivistët dhe OJQ-të shikohet si një dështim në menaxhimin e politikës së jashtme nga Varhelyi.
“Pas katastrofës këtë herë me Varhelyi dhe mënyrën se si Orban po përballet me Presidenten e Komisionit Ursula von der Leyen, nuk ka asnjë mënyrë që ajo t'i dorëzojë ndonjë gjë të rëndësishme dikujt afër tij,”- tha një diplomat në BE.
Sipas Politico, Hungaria dëshiron që të mbajë edhe për disa vite të tjera portofolin e Zgjerimit të BE-së, por një diçka e tillë duket e pamundur.
Orban akuzohet se është aleati më i afërt i Presidentit rus, Vladimir Putin, në BE dhe liderët e Europës po acarohen gjithnjë e më shumë me zvarritjen e sanksioneve dhe kundërshtimin e tij për dërgimin e fondeve në Kiev.
Komisioni Europian tha se qeveritë dhe presidenti i ardhshëm i zgjedhur i Komisionit duhej të zgjidhnin komisionerët e ardhshëm në një mënyrë që ata të mos bëhen pengesë për vendimet e tyre.