Komisioni për Çështje të Jashtme të Senatit amerikan ka miratuar një projektligj ndërpartiak që synon angazhim më të shtuar të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor. Sipas Senatores amerikane Jeanne Shaheen, ky projektligj është shkruar me qëllimin për të forcuar marrdhëniet tregtare dhe bashkëpunimin ekononmik midis vendeve si dhe për të vënë në pah mjetet që ka SHBA për të luftuar korrupsionin apo përpjekjet e tjera që tentojnë të minojnë aspiratat demokaratike të rajonit të Ballkanit.
“Sot Komisioni për Çështje të Jashtme i Senatit amerikan u dërgoi shteteve të Ballkanit Perëndimor mesazh për një angazhim të ripërtërirë duke bërë përpara me këtë projektligj ndërpartiak. E kam shkruar këtë projektligj duke u përqëndruar tek mundësia për të thelluar përkushtimin tonë dhe investimin në rajon përmes forcimit të marrëdhënieve tregtare dhe bashkëpunimit ekonomik si dhe për të vënë në pah mjetet që kanë Shtetet e Bashkuara për t’iu dhënë përgjigje ndikimit keqdashës, korrupsionit dhe përpjekjeve të tjera që synojnë të minojnë aspiratat demokratike të rajonit”, tha për Zërin e Amerikës Senatorja Jeanne Shaheen.
Senatorja shtoi se është me rëndësi miratimi i këtij ligji, pasi kjo do të lehtësonte punën e tij për të vepruar në hapa konkretë.
“Është me rëndësi të theksohet se nëse miratohet në ligj, ai do t’i shndërrojë në ligj urdhrat ekzekutivë ndaj akteve korruptive dhe që bien ndesh me marrëveshjen e Dejtonit në Ballkanin Perëndimor, duke e bërë të qartë që Shtetet e Bashkuara nuk do të tolerojnë përpjekjet për të minuar paqen dhe stabilitetin në rajon”, shtoi senatorja Shaheen.
Projektligji ndërpartiak është një propozim i përbashkët i Senatores demokrate Jeanne Shaheen dhe Senatorit republikan Roger Ëicker, që mban titullin “Akti mbi Demokracinë dhe Përparimin në Ballkanin Perëndimor, zëvendëson një projektligj të ngjashëm që i është propozuar Kongresit amerikan në gusht të vitit 2022.
Në këtë projektligj të ri Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj nxiten që të forcojnë marrëdhëniet tregtare me Shqipërinë, Bosnje e Hercegovinën, Kroacinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Gjithashtu, ato duhet që të forcojnë dhe zgjerojnë integrimin ekonomik rajonal në Ballkanin Perëndimor edhe si një kundërpërgjigje ndaj ndikimit rus në rajon, në veçanti varësisë ndaj gasit rus.