Kreu i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë mesazhe kërcënuese nëpërmjet rrjeteve sociale. Këtë lajm e ka bërë të ditur Sektori për Hetimet e Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës ku në një njoftim zyrtar thonë se një grup i emëruar “Brigada Server” ka dërguar mesazhe kërcënuese në drejtim të Kurtit.
Ky person i identifikuar me inicialet M. R., shtetas kosovar, i datëlindjes 2004, është arrestuar nga policia në datën 10 janar në Zveçan. Arrestimin e tij e ka bërë të ditur edhe zv/drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, i cili ka thënë se “arrestimi është kryer për rast kanosje për interesa të krimeve të rënda në Prishtinë”.
Nga kontrollet e ushtruara në banesën e tij, është gjetur dhe sekuestruar një armë gjahu pa leje. Ndaj shtetasit M. R., është vendosur masa e ndalimit prej 48 orësh, fakt që e ka konfirmuar vetë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
“Pas përfundimit të marrjes së deklaratës, me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh,” ka deklaruar Baki Kelani. Rasti në fjalë do të ndiqet nga prokurorë të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës.