Një stuhi e fortë breshëri goditi zonën veriperëndimore të Torinos pasditen e djeshme, rreth orës 17:00.
Në videot e publikuara në rrjetet sociale, shihen rrugët e zbardhura nga breshëri plotësisht dhe çatitë e mbuluara me një shtresë të trashë akulli, i cili ngjan më shumë me shtresën e trashë të borës në muajt e dimrit.
Mes zonave më të prekura të qytetit ishin ato veriore si Sassi, Barriera di Milano, Madonna di Campagna e San Donato. Prej orës 6 pasdite rrugët e trafiku u bllokuan teksa uji u ngrit deri në nivelin e 30 cm, kryesisht në bulevardin Novara e Gamba.
Disa pemë ishin rrëzuar dhe bodrume u raportuan të përmbytura në qendër të qytetit.
Alarmi i verdhë është ende i vlefshëm në të gjithë Piemonten për shkak të rrezikut hidraulik. Ndërkohë që raportohet se në zonat fushore stuhitë do të zbehen gjatë mëngjesit të sotëm, teksa në malet alpine raportohet që do të aktivizohen shirat gjatë ditës.