Qeveria serbe është distancuar nga sulmi i ndodhur të premte në kanalin e Ibër-Lepencë në veri të Kosovës.
Lidhur me shpërthimin në Zubin Patok, presidenti serb ka reaguar sërish ku shprehet se Serbia ka “njohuri të caktuara se kush mund të jetë autori".
“Ne si shtet serioz nuk jemi marrë me akuzat. Hetimi do të tregojë, kemi dyshime të caktuara, mendojmë se kemi informacione të caktuara dhe kush mund të jetë autori“,- theksoi presidenti serb.
Vuçiç shtoi se institucionet kompetente në Beograd do të vazhdojnë hetimet, duke informuar në mënyrë periodike opinionin publik për çdo zbulim.
Ai tha gjithashtu se autoritetet në Beograd, në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit, janë të gatshme për bashkëpunim jo vetëm me EULEX-in dhe KFOR-in, por edhe me Prishtinën.
“Ne jemi të hapur dhe absolutisht të gatshëm për të biseduar”, - tha Vuçiç.
Më herët në një reagim në rrjete sociale, ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç ka mohuar akuzat e drejtuara nga qeveria e Kosovës të cilat bënin përgjegjës Serbinë, duke dënuar këtë akt kriminal teksa thotë se këto veprime janë të papranueshme dhe kërcënojnë hapur stabilitetin mes vendeve fqinje.