Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se ka rinisur furnizimi me ujë pas sulmit terrorist në kanalin e Ibër-Lepenci.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Kurti bën me dije se së shpejti pritet të normalizohet furnizimi me ujë për qytetarët në Fushë Kosovë, Drenas dhe Obiliq.
Postimi i Kurtit:
-Prurjet e ujit në KEK kanë arritur nivele optimale për furnizim me ujë të TC “Kosova B”.
-Ka rifilluar furnizimi i fabrikave të ujit në rajonet e Mitrovicës dhe Prishtinës.
-Ka filluar furnizimi me ujë për qytetarët e komunave të Skenderajt, Mitrovicës së Jugut, Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit.
-Së shpejti pritet të normalizohet furnizimi me ujë për qytetarët në Fushë Kosovë, Drenas dhe Obiliq.
Një shpërthim i madh ka ndodhur në kanalin e Ibër-Lepencit dy ditë më parë në veri të Kosovës teksa përgjegjës për këtë sulm janë bërë strukturat kriminale dhe terroristët me lidhje politike direkte me Beogradin.
Dëmtimet në rrjet janë të mëdha, pasi nga kanali kryesor i Ibër Lepencit furnizohen me ujë disa qytete në Kosovë si dhe KEK-u, për ftohjen e termoelektranave dhe prodhimin e energjisë elektrike.