Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz i ka dhënë jehonë ndërkombëtare sulmit terrorist që ndodhi në veri të vendit, ku struktura kriminale me lidhje në Beograd kanë shpërthyer me eksploziv kanalin e Ibër Lepencit. Ai furnizon me ujë disa qytete dhe termocentralin Kosova B.
Ajo ka mbajtur një fjalë para Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Europian dhe ka dënuar fort këtë sulm kriminal, duke shënjestruar direkt Serbinë.
”Një sulm aq i rëndë mbi infrasturkturën e një shteti demokratik nuk ka ndodhur në Evropë përveç nga agresori rus në Ukrainë. Serbia nuk është Rusi por po kopjon strategjitë ruse dhe po i përshtat ato në kontekst rajonal”, është shprehur ministrja kosovare.
Shefja e diplomacisë së Kosovës, ka thënë se Serbia nuk do anëtarësimin në Bashkimin Europian, por veç eurot që ajo jep.
"Ky nuk është tension etnik. Ata nuk e duan Europën, ata i duan vetëm eurot nga Bashkimi Europian. Vuçiç ka imazh të njëjtë sikur Putin", ka vijuar më tej Donika Gërvalla-Schwarz, duke kërkuar reagim nga Europa kundër ngjarjes në Kosovë dhe procesit të dialogut në tërësi.
Strukturat kriminale serbe me lidhje politike në Beograd, kanë orkestruar mbrëmjen e së premtes një sulm në Kosovë që nuk ka asnjë dallim nga ajo që po bën Rusia në Ukrainë. Terroristët serbë kanë hedhur në erë me sasi të mëdha eksplozivi kanalin e Ibër Lepencit.
Dëmtimet në rrjet janë të mëdha, pasi nga kanali kryesor i Ibër Lepencit furnizohen me ujë disa qytete në Kosovë si dhe KEK-u, për ftohjen e termoelektranave dhe prodhimin e energjisë elektrike.