Gjashtë të akuzuar për përdhunimin e një vajze 11-vjeçare në Prishtinë verën e vitit 2022, janë dënuar sot me 62 vjet burgim.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur sot aktgjykimin në çështjen penale kundër të akuzuarve B.R, D.RR, B.S, M.S, F.S, M.R, G.S dhe E.S.
Sipas verdiktit të Gjykatës, i akuzuari B.RR është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 12 viteve, ndërsa të akuzuarit D.RR, B.S, M.S, F. S dhe M.R janë dënuar në kohëzgjatje prej dhjetë vitesh, secili veç e veç.
Ndërsa, i akuzuari G.S është liruar nga aktakuza për veprën penale të Dhunimit, i pandehuri D.RR është liruar nga aktakuza për veprën penale ‘Ndihmë në kryerjen e veprës penale të Dhunimit’, i pandehuri F.S është liruar nga aktakuza për veprën penale ‘Ndihmë në kryerjen e veprës penale të Dhunimi’, si dhe i akuzuari E.S është liruar nga aktakuza për veprën penale ‘Ndihmë në kryerjen e veprës penale të Dhunimit’.
Të akuzuarve B.R, D.RR, B.S, M.S, F.S dhe M.R. iu është caktuar masa e paraburgimit deri ne plotfuqishmërinë e aktgjykimit.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi më 27 gusht të vitit 2022 ku 11-vjeçarja dyshohet se u përdhunua nga pesë shtetasit e lart përmendur për 7 orë. Më vonë u zbulua se 11-vjeçarja ishte dhunuar edhe gjatë muajit qershor.