
Një i ri shqiptar është arrestuar nga policia italiane në zonën e Borgo, L’Aquila, pasi u kap duke kryer aktivitete të dyshimta.
Banorët e zonës vunë re sjellje të pazakonta dhe lajmëruan autoritetet. Pas marrjes së informacionit autoritetet italiane vendosën nën vëzhgim të riun dhe e ndaluan pasi ai u përpoq të kalonte disa gardhe në mënyrë të paligjshme.
Gjatë kontrollit, atij iu gjetën më shumë se 2 mijë euro në para të thata, dy telefona celularë dhe disa mbështjellëse celofani. Më tej, brenda një pakete cigaresh u gjetën 18 doza kokainë, me një peshë totale prej mbi 10 gramë.
Hetimet e mëtejshme çuan policinë në dhomën e hotelit ku po qëndronte i riu, ku u gjet një telefon tjetër, i cili ndihmoi oficerët të zbulojnë të tjerë persona të përfshirë në këtë rrjet kriminal. Shqiptari kishte hyrë në Itali me statusin e turistit, por kryente veprimtari të paligjshme në zona të ndryshme të vendit.
Policia ka kërkuar që ndaj tij të lëshohet një urdhër dëbimi dhe ta kthejnë në Shqipëri.