
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të shtunën, ka përfunduar vizitën e tij dy ditore në Kosovë. Ai është larguar nga zyrat e EULEX-it në Fushë Kosovë, ku qëndroi gjatë natës dhe është nisur drejt Hagës.
Mësohet se qytetarë, mbështetës kanë qenë të pranishëm prej orësh, ndërsa kanë shprehur mllefin e tyre për shkak se Gjykata Speciale nuk lejoi ish-presidentin të merrte pjesë në varrimin e babait të tij.
Teksa Thaçi po dilte nga ambientet e EULEX-it, protestuesit kanë bërë thirrje: “Thaçi!”, “UÇK, UÇK”, ku më pas makinat që shoqëronin ish-presidentin kanë marrë drejtimin e Aeroportit të Prishtinës.
Gjykata Speciale firmosi një leje të posaçme dy ditore për Hashim Thaçin, për të vizituar varrin e të atit, si dhe për tu takuar me familjarët e tij.
Pas homazheve te varri i të atit, Thaçi, vizitoi shtëpinë e tij në Burojë për të ngushëlluar familjarët. Pas rreth dy orë qëndrim, Thaçi, u largua nga aty, për të kaluar natën në zyrat e EULEX-it. Në ditën e dytë të qëndrimit në Kosovë, Thaçi u vizitua nga bashkëshortja dhe vëllezërit e tij.