Bashkimi Europian duket se nuk ka ndërmend që të tërhiqet nga deklaratat e tij se hapja ose jo e Urës së Ibrit është një çështje e dialogut që mbahet në Bruksel midis Serbisë dhe Kosovës, dhe çdo vendim për të mund të dalë vetëm prej andej.
Zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali, ka deklaruar se BE planifikon që në takimin e ardhshëm të dialogut midis dy vendeve të vendoset edhe statusi i urës së Ibrit.
“BE planifikon të vendosë statusin e urës në agjendën e takimit të ardhshëm të dialogut”,- ka pohuar Massrali.
Edhe më parë, përfaqësues të BE-së u deklaruan kundër hapjes së Urës së Ibrit për qarkullim për automjete. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, disa ditë më parë tha se miqtë e Kosovës (Bashkimi Evropian, Quint-i), shkuan te kryeministri Albin Kurti dhe i thanë që të mos bëj asnjë lëvizje të njëanshme që do të dëmtonte bisedimet.
“Por ai duket i vendosur ta bëjë këtë. Prandaj thamë, jo, do të ketë efekte shumë negative. Kërkojmë nga autoritetet të parandalojnë dhe shmangin hapat që do të çojnë në konfrontime dhe përshkallëzim më të madh.
Sepse i lëndon njerëzit në terren dhe ju dhemb edhe juve, sepse Kosova është nën masat e BE-së dhe nën disa masa të ShBA-së për shkak të ndërmarrjes së përsëritur dhe të provuar të lëvizjeve që çojnë në përshkallëzim. Nuk i ndihmon askujt, përkundrazi, ndikon shumë negativisht te një numër i madh njerëzish”,- tha Stano.
Ndërsa, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka deklaruar se po presin që gjatë ditës të publikohet draft-raporti për stabilitetin e Urës së Ibrit.
Ai shprehet se gjendja e urës është stabile, megjithatë shton se po presin vlerësimin që po bëhet në mënyrë shkencore.
Durmishi nuk ka ofruar detaje të mëtejshme për hapat që do të ndërmerren pas publikimit të raportit, në rast se do të jetë pozitiv.