Një operacion i përbashkët i Guardia di Finanza dhe autoriteteve doganore italiane në Ankona ka zbuluar një rast të trafikut të paligjshëm të mbetjeve të rrezikshme nga Italia drejt Shqipërisë. Kompania italiane, që po përpiqej të transportonte mbi 16 ton mbetje tekstili në Shqipëri, u kap në flagrancë gjatë ngarkimit të ngarkesës në një traget që do të nisej nga Ankona për në Durrës.
Pas një analize të rrezikut dhe kontrollit të dokumentacionit të dërgesës, autoritetet zbuluan pasaktësi dhe nisën hetimet. Gjatë kontrollit të detajuar, u konstatua se ngarkesa përbënte mbetje të cilat kërkonin kontrolle më të rrepta, si dhe autorizim paraprak nga vendi pritës. Pasi Shqipëria ka ndaluar importin e këtij lloji mbetjesh, dërgesa ishte në kundërshtim me ligjet dhe rregulloret mjedisore.
Ekspertiza nga Agjencia Rajonale për Mbrojtjen e Mjedisit (Arpam) konfirmoi se mbetjet përbënin një rrezik për mjedisin dhe nuk kishin kaluar procedurën e pastrimit paraprak, duke i klasifikuar ato si të dëmshme për ambientin. Si rezultat, mbetjet u sekuestruan, me vlerë disa mijëra euro.
Për këtë ngjarje, drejtori i kompanisë eksportuese u denoncua në gjendje të lirë për akuzat e trafikimit të paligjshëm të mbetjeve dhe falsifikimit të dokumenteve. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht këtë aktivitet të paligjshëm dhe për të marrë masat e duhura ligjore.