Greqia nuk i ka zbutur tonet me Maqedoninë e Veriut që pas tensioneve në rritje të shkaktuara nga veprimi i Presidentes së re, Siljanovska në ceremoninë e betimit, për t’ju referuar vendit si “Maqedoni”dhe jo sipas emrit kushtetues.
Greqia e akuzoi atë se ka shkelur “Marrëveshjen e Prespës”dhe kërkoi që ajo të ndryshonte qëndrim ndaj kësaj çështje, ndryshe pasojat do të ishin të rënda për Maqedoninë e Veriut.
Ministri i Jashtëm grek, Georgios Gerapetritis i është rikthyer sërish kësaj çështje, teksa paralajmëroi udhëheqjen e re të Maqedonisë së Veriut se nuk do të ketë asnjë lëshim nga parimet bazë të Marrëveshjes së Prespës.
Në një intervistë të dhënë për portalin grek, NewsBomb.gr, mbrëmjen e djeshme, Gerapetritis është shprehur se kjo marrëveshje është një traktat ndërkombëtar i ratifikuar me ligj, dhe është e detyrueshme që të zbatohet nga palët.
Ministri është pyetur edhe se çfarë qëndrimi do të mbajë Athina dhe nëse Greqia mund të vendosë veto në takimin e NATO-s pas disa ditësh ku merr pjesë edhe Maqedonia e Veriut nëse vendin fqinj ende sfidon marrëveshjen e Prespës, ai është përgjigjur duke thënë se respektimi me besnikëri i traktateve ndërkombëtare është një parim themelor i kësaj të drejtë.
“Respektimi me besnikëri i traktateve ndërkombëtare është një parim themelor i së drejtës ndërkombëtare dhe një detyrim i vetëkuptueshëm për pjesëmarrje në organizatat ndërkombëtare. Marrëveshja e Prespës është një traktat ndërkombëtar i ratifikuar me ligj, është absolutisht e detyrueshme për të gjitha palët dhe nuk mund të modifikohet në mënyrë të njëanshme.
Sidomos për Maqedoninë e Veriut, kushtet bazë të Marrëveshjes janë përfshirë në Kushtetutën e shtetit fqinj dhe ishin kusht për anëtarësim në NATO”,- u shpreh ministri i Jashtëm grek, Georgios Gerapetritis.
Gerapetritis ka theksuar gjithashtu se edhe në samitin e Shkupit ka deklaruar se zbatimi i këtyre marrëveshjeve është thelbësore për të garantuar stabilitetin dhe sigurinë e rajonit.
“Shmangia e veprimeve të njëanshme dhe retorikës përçarëse, jetërsimi i plotë i ligjeve europiane, njohja e supremacisë të së drejtës ndërkombëtare dhe zbatimi i plotë i marrëveshjeve ndërkombëtare është thelbësore për të garantuar stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin në rajonin tonë si dhe integrimin e vendeve kandidate në familjen evropiane”,- përfundoi ministri.