
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qendrën tregtare të Albi Mall në Prishtinë, ku katër persona kanë tentuar të grabisnin një automjet transportues me para.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se është ndalur një person për veprën penale "grabitja". Megjithatë, për momentin Prokuroria thekson se nuk mund jepen të dhëna të detajuara lidhur me këtë rast.
“Prokurori kujdestar është informuar nga Njësiti Policor se në lagjen Veternik të Prishtinës ka ndodhur rasti i ‘’Grabitjes’’ në oborrin e një qendre tregtare Albi Mall”. Ndërkohë hetuesit policor në bashkëpunim me Prokurorin e shtetit kanë ndaluar një (1) person për vepër penale ‘’Grabitja’’ nga neni 317 dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 366 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe Prokuroria Themelore vazhdon ndjekjen e personave të cilët ndodhen në arrati”, njofton Prokuroria.
Sipas njoftimit të policisë, mësohet se rreth orës 10:30 kanë regjistuar të shtëna me armë në lagjen Veternik në Prishtinë, ku është plagosur një person. Gjithashtu, personi i plagosur është roja e sigurimit dhe është dërguar menjëherë në spital, ndërsa ka bërë operacion dhe është jashtë rrezikut për jetën. Të dyshuarit u arratisën drejt Hajvalisë me automjetin e tyre me targa gjermane, teksa i kanë vënë flakën për mos identifikimin e tyre.