Gordana Siljanovska Davkova, kandidate e Partisë VMRO-DPMNE, udhëheq bindshëm në garën presidenciale ndaj rivalit të saj social-demokrat, Stevo Pendarovki.
Ndërsa janë numëruar rreth 97% e votave të hedhura, zonja Davkova duket se ka siguruar 40.2% të tyre ose 352,800 vota, sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Në vend të dytë renditet zoti Pendarovski me rreth 175,400 vota, ose 19.9% të votave të numëruara deri në publikimin e këtij lajmi. Rezultatet paraprake tregojnë për një balotazh mes dy kandidatëve kryesorë.
Kandidati Bujar Osmani i koalicionit Fronti Evropian, që udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim, ka marrë 117,200 vota ose rreth 13.36% të votave të numëruara, ndërsa Arben Taravari i koalicionit “VLEN”, ka marrë 82,200 vota ose rreth 9.37%.
Kandidati i partisë “Znam”, Maksim Dimitrievski ka marrë 78.200 vota ose 8,9%. Biljana Vankovska e partisë “E Majta” ka siguruar 40 mijë vota, ose 4,42%. Dhe Stevço Jakimovski i "Opsionit Qytetar për Maqeodninë" ka marrë 7900 vota, ose 0,90%
Zoti Pendarovski tha se duke filluar nga e nesermja do të fillonte takimet me qytetarët.
Presidenti aktual theksoi se koncept i fushatës së tij ka qenë i “një shteti jo të izoluar por të integruar në Evropë”, teksa theksoi shpresat se në raundin e dytë do të ketë mbështetje të madhe.
Zoti Osmani e shpalli “fitoren” në selinë e BDI-së në Tetovë ndaj rivalit të tij shqiptar, zotit Taravari. Kandidati Osmani ka marrë më shumë vota në Tetovë, Strugë, Dibër të Madhe, Çair dhe Saraj të Shkupit dhe në disa zona të tjera rurale.
Përkrahës të BDI-së, të udhëhequr nga kryeminstri Artan Grubi dhe eksponentë të lartë të kësaj partie në Shkup, u mblodhën për të festuar në sheshin Skenderbej, shumë pranë selisë së koalicionit VLEN. Kjo bëri që policia të mobilizohej në mbrojtje të shtabit të partive opozitare, ndërsa akti u vlerësua si provokim ndaj koalicionit VLEN nga ana e BDI-së.
Ndërkohë më herët, zoti Arben Taravari tha se do të tërhiqet nga politika nëse konfirmohet humbja e tij ndaj zotit Osmani. I pyetur në lidhje me raundin e dytë të zgjedhjeve, ai tha se koalicioni VLEN do të vëndosë së cilin kandidat do të mbështesë.
Në zgjedhjet presidenciale morën pjesë rreth 48% e 1,8 milionë banorëve me të drejtë vote. Pjesmarrja në votime shënoi një rritje prej 9% në krahasim me zgjedhjet presidenciale të vitit 2019.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve tha se janë paraqitur rreth 300 ankesa për parregullsi, mes tyre fotografimi i votës dhe pamundësia e disa individëve për të votuar pasi nuk figuronin në regjistrin zgjedhor. KSHZ tha se disa nga ankesat ishin zgjidhur dhe po punohej për një pjesë tjetër ndërsa ka hedhur poshtë si të pabaza disa ankesa të tjera.
Misioni i ODIHR-it ka mbi 320 vëzhgues që po ndjekin procesin, ndërsa një numër edhe më i madh i vëzhguesve vendas po ashtu është aktiv në terren.
Shefja e misionit të ODIHR-it, Jillian Stirk tha se mbi 200 vëzhgues ishin shpërndarë në të gjitha zonat. Vëzhguesit afatgjatë ndodhen në Maqedoninë e Veriut që nga hapja e misionit në fund të marsit. ODIHR do të bëjë të enjten komente lidhur me ecurinë e procesit.
Në Maqedoninë e Veriut presidenti ka një mandat pesë vjeçar dhe zgjidhet me votë të drejtpërdrejtë, ndonëse kohët e fundit janë shtuar debatet, sidomos në radhët e partive politike shqiptare që presidentin ta zgjedhë parlamenti, por partitë maqedonase nuk pajtohen me këtë.
Maqedonia e Veriut është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian që nga fundi i vitit 2005 dhe përparimi drejt bllokut ka qenë i ngadalshëm dhe i vështirë. Zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare të 8 majit shikohen me interes të madh nga publiku jo vetëm në Maqedoninë e Veriut për shkak të besimit në rënie për BE-në dhe zvarritjen e procesit të integrimit apo dhe për debatet mbi ndikimin keqdashës të Federatës Ruse. VOA