Autoritetet greke kanë zhvilluar së fundmi një operacion antidrogë, gjatë të cilit janë sekuestruar mbi 109 kilogramë marijuanë në Igumenicë dhe janë arrestuar tre persona të dyshuar si pjesë e një rrjeti trafikimi të lëndëve narkotike.
Në kuadër të hetimeve janë përfshirë edhe strukturat e Policisë Kufitare në Sarandë, pas dyshimeve se droga mund të jetë futur në territorin grek nga Shqipëria.
Operacioni u zhvillua dy ditë më parë në zonën e Nea Selefkias, pranë Igumenicës, ku policia greke ndaloi një automjet tip “BMW” që dyshohet se kishte hyrë në Greqi përmes kufirit të gjelbër me Shqipërinë.
Gjatë kontrollit të automjetit, efektivët gjetën në sediljet e pasme dhe në bagazh 102 pako me gjithsej 109 kilogramë e 364 gramë marijuanë. Lënda narkotike ishte e fshehur në çanta sportive të zeza.
Në pranga ra drejtuesi i mjetit, një shtetas turk 43 vjeç, i cili dyshohet se kishte marrë përsipër transportimin e drogës drejt Athinës.
Pas operacionit, autoritetet greke kanë njoftuar Policinë Kufitare të Sarandës. Sipas dyshimeve paraprake, lënda narkotike mund të ketë kaluar kufirin nëpërmjet zonës së fshatit Çiflik, në Bashkinë e Konispolit, duke shfrytëzuar një shteg të gjelbër kufitar të njohur ndër vite për raste të trafikimit të drogës.
Policia Kufitare e Sarandës ka shtuar kontrollet përgjatë vijës kufitare tokësore dhe në zonat detare, me qëllim identifikimin e personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Ndërkohë, hetimet e autoriteteve greke kanë çuar në identifikimin dhe arrestimin në Athinë të dy shtetasve grekë, të cilët dyshohen si organizatorë ose bashkëpunëtorë në këtë skemë trafikimi.
Burimet bëjnë me dije se policia shqiptare po punon për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë bashkëpunuar në territorin shqiptar.
