Asnjëri nga tre të akuzuarit për sulmin në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrare rreshteri Afrim Bunjaku nuk e ka pranuar fajësinë. Blagoje Spasojeviç, Vladimir Toliç dhe Dushan Maksimoviç janë deklaruar të pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur këtë të mërkurë në Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Më 11 shtator, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave, mes tyre edhe Milan Radoicic , të cilët akuzohen për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të tjera të rënda penale. por vetëm tre prej tyre janë në dispozicion të organeve të drejtësisë.
Sakaq në seancë nuk u përmend gjykimi në mungesë i të akuzuarve të tjerë, pavarësisht se prokuroria e ka kërkuar një hap të tillë.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar së fundmi se presin nga Serbia të ndërmarrë hapa të nevojshëm për t’u siguruar që të akuzuarit për kryerjen e sulmit të armatosur në Banjskë më 24 shtator 2023, të japin llogari.
Beogradi e ka injoruar këtë proces në Kosovë, përfshirë thirrjet e vazhdueshme të komunitetit ndërkombëtar që përgjegjësit të japin llogari para organeve të drejtësisë, ndërsa vetë nuk ka ngritur asnjë aktakuzë për sulmin paramilitar në veriun e Kosovës.