
Gjykata Speciale ka deklaruar se ende nuk mund të japë ndonjë informacion për kërkesë apo vendim konkret nga ish-presidenti Hashim Thaçi.
“Gjykata nuk është në gjendje të japë informacion për ndonjë kërkesë apo vendim konkret në lidhje me z. Thaçi”, tha Gjykata Speciale në një deklaratë të martën.
Ndërkohë, avokati Ardian Bajraktari, tha se nuk ka bazë për moslejimin e pjesëmarrjes së Thaçit në varrimin e babait të tij. Ai tha se ky vendim është në vazhdën e jo pak vendimeve të natyrës absolutisht jo humane. Ndër të tjera, Bajraktari pretendoi se aktakuza e dytë e ish-presidentit po konsiderohet të jetë arsye e mundshme që Gjykata Speciale nuk i dha leje atij.
“Vlerësoj që nuk ka absolutisht bazë për moslejimin, për faktin se përveçse është një kërkesë e bazuar, edhe në të kaluarën kur kemi pasur raste kur ka aprovuar Gjykata Speciale vizita të tilla, edhe Thaçi, edhe të tjerët iu kanë përmbajtur me përpikëri kërkesave, përkatësisht kritereve të vendosura nga ana e Dhomave të Specializuara. Prandaj, e vlerësoj që një gjë e tillë, nuk do të duhej të ndodhte. Përkatësisht, do të duhej t’i mundësohej pjesëmarrja në varrim. Por, tashmë vlerësoj që ky vendim është në vazhdën e jo pak vendimeve të natyrës absolutisht jo humane. Njëra prej arsyeve që eventualisht mund të ketë ndikuar në një vendim të tillë, përkatësisht moslejim për të marrë pjesë, vlerësoj që akuza e dytë e cila natyrisht siç e kemi thënë edhe herëve të tjera, në bindjen tonë është absolutisht e pabazuar. Megjithatë, kjo mund të ketë pasur impakt në lidhje me këtë çështje”, tha Bajraktari.
Gjykata Speciale në Hagë në dhjetor të dhjetor 2024-ës, ka ngritur aktakuzë të re ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt e Fadil Fazliut, për vepra që lidhen me pengimin e drejtësisë.
Tre ditë para se të mbyllte sytë përgjithmonë ai u vizitua në spital nga djali i tij, Hashim Thaçi. Ish presidenti, i cili prej vitit 2020 ndodhet në paraburgimin e Hagës, mori leje nga Gjykata Speciale dhe shkoi të vizitonte të atin në spital. Vizita zgjati rreth tre orë dhe u zhvillua nën masa të rrepta sigurie.
Babai ish-presidentit Thaçi vdiq të dielën, ndërsa varrimi i tij u bë sot në orën 15:00 në varrezat e fshatit Burojë të Skenderajt.