Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut ka vendosur të shtyjë seancën për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve, konkretisht për gjuhën shqipe.
Propozimi për shtyrjen e seancës u bë nga gjykatësja e Kushtetueses, Elizabeta Dukovska, e cila është përgjegjëse për këtë çështje dhe vendosi të ketë seancë përgatitore në të cilën, ekspertë profesorë, por edhe parti politike të marrin pjesë në debat dhe të paraqesin argumentet e tyre në lidhje me Ligjin për Gjuhët.
Ky propozim kaloi me 5 vota pro dhe vetëm një kundër. Kundër këtij propozimi ishte gjykatësja Dobrilla Kacarska, e cila njoftoi se nuk do të marrë pjesë në seancën përgatitore, për shkak se siç tha një gjë e tillë është e panevojshme duke pasur parasysh faktin se kemi një vendim të Komisionit të Venecias.
Ndërkohë gjykatësit që pranuan propozimin thanë se qëllimi është që të tregohet transparencë.
Ata gjithashtu i bënë thirrje gjykatësve që nuk ishin në seancë që të marrin pjesë në seancën përgatitore.