
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka dënuar Lëvizjen Vetëvendosje me 3 mijë Euro për shkak të gjuhës fyese që përdori kryeministri Albin Kurti në tubimin e mbajtur në Pejë. Sipas Panelit Zgjedhor ankesa është bërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila e ka akuzuar Kurtin se ka shkelur Kodin e Mirësjelljes.
Partia e Kurtit ka afat prej 15 ditësh, që ta paguajë gjobën.
Në argumentat ankesës citohen disa raste si rasti kur Kurti ka krahasuar qëndrimet politike të LDK me ato të Serbisë së Millosheviçit apo përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe krahasimin e opozitës me një mizë që duhet shtypur.
“Nuk ka sesi të mos çuditemi kur dëgjojmë nga udhëheqja e LDK-së se Policia e Kosovës, Kryeministri i Republikës, institucionet e shtetit tonë na qenkan si Serbia e Millosheviqit (krahasim i tmerrshëm, fyerje e shpifje klasike, vrer e mllef i papërmbajtshëm, e pavërtetë e madhe dhe tentim nxitjeje për rënie në grackën e tij provokuese).” – thuhet në Ankesën e LDK-së, të parashtruar në PZAP.
PZAP-ja ka dënuar me 20 mijë Euro edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës për shkeljen e “Kodit të Mirësjelljes”. Në ankesë e Vetëvendosjes thuhet se një kandidate e LDK-së ka shpërndarë një video përmes së cilës ka krahasuar Albin Kurtin me Adolf Hitlerin.
Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në Kosovë mbahen më 9 shkurt, në një garë të hapur për ekzekutivin e ri dhe konfiguracionin e Kuvendit 120 vendesh.