Gjermania i ka dhuruar shtetit të Kosovës 5 kamionë ushtarakë në vlerën e afro 2.7 milionë eurove. Nëpërmjet një takimi të mbajtur ditën e sotme në kazermën e FSK-së “Adem Jashari”, në Prishtinë, u zhvillua ceremonia e pranim-dorëzimit të donacionit të automjeteve nga Republika Federale e Gjermanisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, ku i pranishëm në këtë takim ishte edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Jorn Rohde, ministri i jashtëm i Kosovës Ejup Maqedonci si dhe krerë e zyrtarë të tjerë.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha se donacioni prej 2,7 milionë eurove do të ndikojë në ngritjen e kapaciteteve logjistike dhe operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërsa theksoi se Gjermania ka ofruar mbështetje të pakushtëzuar dhe ka kontribuar në fuqizimin e saj.
“Donacioni prej 2.7 milionë eurosh që pranuam sot janë në vazhdën e donacioneve prej 3.5 milionë eurove që pranuam vitin e kaluar nga Republika Federale e Gjermanisë. Mbështetja me automjete ushtarake për forcën është vetëm njëra nga fushat ku gjermania kontribuon ndjeshëm për sigurinë e vendit tonë”,- tha ministri i mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci.
Nga ana tjetër, ambasadori gjerman Jorn Rohde u shpreh se Gjermania do të vazhdojë të mbështesë Kosovën edhe në fusha të tjera me qëllimin për ti shërbyer zhvillimit të saj.